Drita – Shkëndija, derbi shqiptar i Evropës ekskluzivisht në RTK
BKT
Sport

Drita – Shkëndija, derbi shqiptar i Evropës ekskluzivisht në RTK

M.M./ RTKlive

Sonte, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja e Ligës së Konferencës ndërmjet Dritës dhe Shkëndijës së Tetovës. Kjo ndeshje, e cila pritet të sjellë mbrëmje madhështore futbolli, do të transmetohet ekskluzivisht në RTK, duke filluar nga ora 21:00.

Atmosfera në ‘Fadil Vokrri’ premton të jetë e jashtëzakonshme, me “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës, që kanë paralajmëruar spektakël me koreografi, këngë dhe ngjyra kuqezi, një ditë para festës kombëtare të 28 Nëntorit.

Por ndërsa në tribuna pritet festë shqiptare, në fushë do të zhvillohet një betejë e vërtetë sportive. Të dyja skuadrat janë në garë të fortë për t’i siguruar pozitat që çojnë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës, andaj çdo pikë ka peshë të madhe.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, tha se skuadra e tij është gati për sfidën më të vështirë që nga nisja e aventurës evropiane.

“Gjithë ekipi është gati. Shpresoj që të japim maksimumin. Shkëndijën e vlerësojmë shumë dhe kjo është ndeshja më e vështirë në këtë fazë të ‘Conference League’”, deklaroi ai.

Ai theksoi cilësitë e shumta të Shkëndijës, duke përmendur Latifin, Krasniqin, Tamban, mesfushorët Alhassan e Ramadani si dhe talentin Haxhija.

“Shkëndija nuk varet nga një individ, është ekip i plotë. Për ne ka edhe më shumë presion sepse jemi dy skuadra shqiptare dhe luajmë vetëm një ditë para festës së flamurit”, shtoi ai.

Kapiteni i Dritës, Rron Broja, shprehu bindjen se ekipi i tij ka cilësi për të marrë një rezultat historik.

“E njohim Shkëndijën dhe e respektojmë maksimalisht. Ka individë shumë cilësorë. Por edhe ne kemi kualitet për të fituar. Me një rezultat pozitiv do të ishim me një këmbë në plejof”, tha ai.

Endrit Krasniqi, një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Shkëndijës, tha se rikthimi në stadiumin ku ka fituar trofe i jep motiv shtesë.

“Në këtë stadium kam fituar tituj. Shpresoj që edhe nesër të dal fitues. Jam i lumtur që edhe Drita luan në këtë nivel, por normalisht që dua fitore për Shkëndijën”, u shpreh ai.

Trajneri Jeton Beqiri paralajmëroi spektakël në çdo aspekt.

“Do të jetë një ndeshje festive, pres spektakël në tribuna ashtu edhe në fushë. Besoj të jemi në nivel dhe të marrim rezultatin e dëshiruar e që është fitorja”, deklaroi ai.

Drita është e 13-ta në renditjen e Ligës së Konferencës me 5 pikë (1 fitore, 2 barazime), derisa Shkëndija është e 21-ta me 4 pikë (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje).

Rezultati i sonte nuk e vulos kualifikimin, por fitorja do ta afronte fituesin edhe më shumë drejt historisë.