SHBA pezullon emigracionin për afganët pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare
M.M/ RTKlive
SHBA-ja ka pezulluar përpunimin e të gjitha kërkesave për emigracion nga afganët, pasi një shtetas afgan u identifikua si i dyshuari për të shtënat ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë.
Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së njoftoi se vendimi është marrë në pritje të një rishikimi të “protokolleve të sigurisë dhe verifikimit”, raporton BBCNews.
I dyshuari për sulmin e së mërkurës, i cili la dy anëtarë të Gardës Kombëtare në gjendje kritike, raportohet se ka mbërritur në SHBA nga Afganistani në shtator të vitit 2021.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se sulmi ishte një “akt terrori”, duke shtuar se do të ndërmarrë hapa për të larguar të huajt “nga çdo vend që nuk i përkasin këtu”.
Dhjetëra mijëra afganë hynë në SHBA nën mbrojtje të posaçme emigracioni pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga vendi në vitin 2021, gjatë mandatit të ish-presidentit Joe Biden.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare e identifikoi të dyshuarin në një njoftim për shtyp si Rahmanullah Lakamal, “një i huaj kriminal nga Afganistani”. Një zyrtar i ka thënë partnerit amerikan të BBC-së, CBS, se ai kishte aplikuar për azil në vitin 2024 dhe kërkesa e tij ishte miratuar në fillim të këtij viti.
29-vjeçari thuhet se ka hyrë në SHBA në kuadër të programit të quajtur Operacioni Allies Welcome.
Trump tha pas të shtënave se SHBA-ja “duhet tani të rishqyrtojë çdo të huaj të vetëm që ka hyrë në vendin tonë nga Afganistani gjatë kohës së Biden-it”.























