Dorëhiqet shefi i stafit të Zelenskyt, i bastiset banesa për antikorrupsion
RTK
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se shefi i kabinetit të tij, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqje pas një bastisjeje antikorrupsion të zhvilluar në banesën e tij në qendër të Kievit.
Yermak, 54-vjeçar, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit gjatë gjithë agresionit rus ndaj Ukrainës, kohët e fundit është përballur me presion të shtuar publik. Kjo për shkak të një skandali të lidhur me korrupsionin, pavarësisht që ende ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare.
Sipas autoriteteve antikorrupsion në Ukrainë, bastisja u krye herët në mëngjes në apartamentin e Yermakut brenda kompleksit qeveritar në Kiev. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai theksoi se po bashkëpunon plotësisht me hetuesit dhe se është i gatshëm të japë çdo sqarim të nevojshëm.
Ngjarja vjen në një periudhë kur Kievi po përpiqet të forcojë betejën kundër korrupsionit, ndërsa vendi vazhdon të përballet me agresionin e vazhdueshëm të Rusisë.























