Mbi 600 mijë persona pa energji elektrike në Kiev pas sulmeve të rënda ruse
BKT
Rajoni dhe Bota

Mbi 600 mijë persona pa energji elektrike në Kiev pas sulmeve të rënda ruse

Flutura Bekqeli / RTK

Zyrtarët thonë se më shumë se 600 mijë njerëz në rajonin e Kievit në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike pas një sulmi rus gjatë natës. Bombardimi i fundit ndodhi ndërsa negociatorët ukrainas po përgatiteshin për bisedime me zyrtarët amerikanë këtë fundjavë.

Ministria e Energjisë së Ukrainës njoftoi se mbi 500 mijë prej tyre ndodheshin në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër në rajonin përreth. Humbjet e energjisë iu atribuohen sulmeve me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike në qytet dhe në disa rajone të tjera.

Rreth 36 raketa dhe afro 600 dronë janë lëshuar drejt objektivave në të gjithë Ukrainën deri të shtunën, kanë bërë të ditur zyrtarët, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike ndërsa vendi po hyn në dimër, pavarësisht përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-të për të siguruar një marrëveshje paqeje.

Zyrtarët ukrainas thanë se, përveç infrastrukturës energjetike, disa ndërtesa banimi janë goditur në sulmet e natës. Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kanë rrëzuar 558 dronë dhe 19 raketa. Kryeqyteti ukrainas është mes disa qyteteve që kanë pësuar bombardime të rregullta ajrore që nga fillimi i luftës. Shumë ukrainas kanë përjetuar gjithashtu ndërprerje të shpeshta të energjisë, pasi Moska ka synuar infrastrukturën energjetike edhe gjatë dimrave të mëparshëm.

Parashikohet që temperaturat në Kiev të zbresin në 2 gradë Celsius të dielën, ndërsa mesatarisht në dhjetor ato bien nën zero.

Bombardimi i fundit ndodhi në prag të bisedimeve që negociatorët ukrainas do të zhvillojnë me zyrtarët amerikanë këtë fundjavë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shtyn të dyja palët të pranojnë një draft-plani paqeje, i cili fillimisht anonte dukshëm në favor të Rusisë, por është rishikuar gjatë bisedimeve me ukrainasit dhe aleatët evropianë në Gjenevë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur përpjekjet diplomatike, duke theksuar nevojën e Kievit për të ruajtur sovranitetin dhe aftësinë për t’u mbrojtur nga çdo sulm i ardhshëm.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota