Vuçiq: Nga e marta, rafineria e INS -it nuk do të funksionojë më
RTCG
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se nga e marta rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë në Pançevë nuk do të funksionojë më dhe se Serbia do të duhet të “gjejë mënyra të ndryshme për të menaxhuar” situatën, raporton Beta.
Vuçiq u tha qytetarëve se duhet të jenë të qetë, sepse shteti do të ketë “mjaft zgjidhje dhe mjaft para”. Ai paralajmëroi se sot do të përpiqet të zhvillojë bisedime shtesë me amerikanët, por se nuk beson që ata do ta ndryshojnë vendimin.
Vuçiq tha tashmë nuk pret që do të marrë licencë nga SHBA-ja dhe se rafineria duhet të mbyllet të martën. Gjithashtu, ai tha se sot ka një takim të rëndësishëm në të cilin duhet të adresohen këto probleme dhe se Serbinë e pret “një betejë e vështirë”.
Serbia më herët kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të miratojnë licencën e punës për NIS-in, ndërkohë që po zhvillohen negociatat për ndryshimin e pronësisë në këtë ndërmarrje që është nën sanksionet e SHBA-së.























