Ndërpritet transporti detar turk me Rusinë pas incidentit
M.M./ RTKlive
Pas një sulmi ndaj anijes `Mersin`, kompania e transportit detar me seli në Stamboll, Besiktas Shipping, ka ndalur të gjitha operacionet me Rusinë, duke përmendur rreziqe të papranueshme të sigurisë.
Kompania Besiktas Shipping njoftoi të martën se po pezullon të gjitha operacionet me Rusinë, duke theksuar rreziqe serioze për sigurinë pas sulmit ndaj një prej anijeve të saj.
“Pas një vlerësimi të detajuar, kemi arritur në përfundimin se rreziqet ndaj anijeve dhe ekuipazhit tonë janë bërë të papërballueshme,” thuhet në një deklaratë të kompanisë. “Meqenëse siguria e personelit dhe e aseteve tona është prioriteti ynë më i lartë, ne po i ndalojmë të gjitha këto operacione”, raporton euronews.
Besiktas Shipping zotëron cisternën e naftës Mersin, me flamur të Panamasë, e cila më 27 nëntor u godit nga katër shpërthime të jashtme, ndërsa ishte e ankoruar pranë kryeqytetit të Senegalit, Dakar.
Anija pësoi dëme të rënda dhe uji përmbyti dhomën e motorit, megjithatë të gjithë anëtarët e ekuipazhit mbetën të sigurt. Askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin.
Mersin ka hyrë disa herë në porte ruse, përfshirë Novorossijsk dhe Taman, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Të dhënat e transportit tregojnë se cisterna ka bërë të paktën 13 ndalesa në porte ruse gjatë këtij viti.























