Takim i ri SHBA–Ukrainë në Florida pas bisedimeve pa rezultat në Moskë
BKT
Rajoni dhe Bota

Takim i ri SHBA–Ukrainë në Florida pas bisedimeve pa rezultat në Moskë

Bardhyl Bajrami / RTK

Pas bisedimeve të zhvilluara në Moskë mes emisarëve amerikanë dhe udhëheqjes ruse, negociatorët amerikanë dhe ukrainas pritet të takohen në Florida, ndërsa të dyja palët theksojnë se ende nuk ka kompromis për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Negociatorët amerikanë dhe ukrainas do të takohen në Florida të Shteteve të Bashkuara pas bisedimeve që u zhvilluan në Moskë mes emisarit amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, këshilltar dhe dhëndër i presidentit amerikan Donald Trump, me presidentin rus Vladimir Putin, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Lajmin për zhvillimin e takimeve e ka konfirmuar edhe ambasadorja e Ukrainës në Uashington, Olga Stefanishyna, e cila ka thënë se negociatori ukrainas Rustem Umerov tashmë ka udhëtuar drejt SHBA-së.

Kremlini ka bërë të ditur se bisedimet pesëorëshe në Kremlin nuk kanë sjellë ndonjë kompromis për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

"Deri tani nuk është gjetur ndonjë kompromis. Megjithatë, disa prej propozimeve amerikane duken disi të pranueshme, por ato duhet të diskutohen. Disa nga formulimet që na janë ofruar nuk na përshtaten. Prandaj, puna do të vazhdojë", ka deklaruar ndihmësi i presidentit Putin, Yuri Ushakov.

Nga ana e tij, presidenti Trump ka thënë se bisedimet kanë qenë "mjaft të mira", por ka shtuar se është ende shumë herët të thuhet se çfarë mund të pasojë.

Dy janë çështjet madhore të mosmarrëveshjeve mes Moskës dhe Kievit: fati i territoreve të okupuara të Ukrainës dhe garancitë e sigurisë për vendin. Kievi dhe partnerët evropianë besojnë se, edhe në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje, mënyra më efektive për të penguar Rusinë që ta sulmojë përsëri Ukrainën në të ardhmen do të ishte ofrimi i anëtarësimit në NATO. Rusia është kategorikisht kundër një anëtarësimi të tillë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë vazhdimisht sinjale se nuk ka ndërmend ta lejojë integrimin e Ukrainës në Aleancë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota