Fermerët kanë përshkallëzuar protestat në mbarë Greqinë
Njomza Berisha-Miftari | RTK
Fermerët grekë kanë përshkallëzuar protestat në mbarë vendin, duke bllokuar rrugë kryesore, autostrada dhe pika doganore.
Edhe në pikën kufitare mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Evzoni, sot janë krijuar kolona veturash, përfshirë edhe turistë nga Kosova. Kjo pikë pritet të zhbllokohet në orët e pasditës.
Bllokime raportohen në doganat Kipi, Promachona, Exochi, Evzoni dhe Niki, ku qindra kamionë qëndrojnë të bllokuar prej ditësh. Protestat dhe bllokadat pritet të shtohen javën e ardhshme, ndërsa Komiteti Panhelenik do të vendosë hapat e mëtejshëm.
Qeveria greke shprehet e gatshme për dialog, por paralajmëron se nuk do të tolerojë dhunë. Fermerët thonë se do të vazhdojnë aksionet derisa kërkesat e tyre të plotësohen.























