Trump për liderët evropianë: “Mendoj se janë të dobët”
M.M./ RTKlive
Presidenti Donald Trump e quajti Evropën një grup kombesh “në kalbëzim” të drejtuar nga njerëz “të dobët”, duke nënçmuar aleatët tradicionalë të SHBA-së për dështimin për të kontrolluar migracionin dhe për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Ky sulm i ashpër ndaj udhëheqjes politike evropiane përfaqëson kritikën më të rëndë deri më sot nga presidenti amerikan ndaj këtyre demokracive perëndimore, duke rrezikuar një përçarje të thellë me vende si Franca dhe Gjermania, me të cilat Administrata Trump ka marrëdhënie tashmë të tensionuara.
“Mendoj se janë të dobët,” tha Trump për liderët evropianë. “Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”, tha Trump në një intervistë për ‘Politico’
Komentet e Trump-it rreth Evropës vijnë në një moment veçanërisht delikat për negociatat mbi përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa liderët evropianë janë gjithnjë e më të shqetësuar se Trump mund ta braktisë Ukrainën dhe aleatët e saj përballë agresionit rus. Në intervistë, Trump nuk ofroi asnjë siguri për evropianët dhe deklaroi se Rusia është qartazi në një pozicion më të fortë se Ukraina.
Megjithatë, pavarësisht trazirave në SHBA, Trump mbetet figurë unike në politikën ndërkombëtare.
Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, të hënën kritikoi Administratën Trump për dokumentin e Sigurisë Kombëtare dhe i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të respektonte sovranitetin e Evropës dhe të drejtën e saj për vetëqeverisje.
“Aleatët nuk kërcënojnë të ndërhyjnë në jetën demokratike apo zgjedhjet e brendshme të njëri-tjetrit,” tha Costa. “Ata i respektojnë ato”, shtoi ai.
Në intervistë, Trump tha se do të vazhdojë të mbështesë kandidatët e preferuar në zgjedhjet evropiane, edhe nëse kjo ofendon ndjeshmëritë lokale.
“Kam mbështetur njerëz që shumë evropianë nuk i pëlqejnë. Kam mbështetur Viktor Orbán-in,” tha ai, duke e vlerësuar kryeministrin hungarez të krahut të djathtë për politikat e tij të forta kufitare.
Për luftën Rusi-Ukrainë, ajo që dukej se ishte në qendër të vëmendjes së Trump-it, pohoi se kishte ofruar një draft të ri për një plan paqeje që disa zyrtarë ukrainas e kishin pëlqyer, por që Zelenskyy ende nuk e kishte shqyrtuar. “Do të ishte mirë sikur ta lexonte,” tha Trump.
Zelenskyy u takua të hënën me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe vazhdoi të kundërshtonte dorëzimin e territorit ukrainas si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.
Presidenti Trump tha se nuk i jepte shumë rëndësi rolit të liderëve evropianë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. “Ata flasin, por nuk prodhojnë rezultate, dhe lufta vazhdon pafundësisht”, tha ai.
Në një sfidë të re ndaj Zelenskyyt, i cili duket i dobësuar politikisht në Ukrainë për shkak të një skandali korrupsioni, Trump përsëriti thirrjen që Ukraina të mbajë zgjedhje të reja.
“Ata nuk kanë mbajtur zgjedhje prej shumë kohësh. Flasin për demokraci, por vjen një pikë ku nuk është më demokraci”, tha ai.























