Ukraina sulmon Moskën me dronë
M.M./ RTKlive
Ukraina ka kryer një sulm masiv me dronë kundrejt kryeqytetit rus gjatë natës së 9-10 dhjetorit, raportoi kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin.
Sipas tij, njësitë ruse të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar të paktën 31 mjete ajrore pa pilot (UAV) që po shkonin drejt Moskës, tha Sobyanin. Ekipet e emergjencës po punojnë për të pastruar mbeturinat në vendet e rrëzimit.
Nuk janë raportuar viktima apo dëme.
Sobyanin filloi të raportonte për sulmet ndaj kryeqytetit rus vonë në mbrëmjen e 9 dhjetorit, duke përditësuar ndërsa më shumë dronë raportohej se po rrëzoheshin mbi qytet. Sipas kanalit rus në Telegram, Shot, shpërthime janë raportuar në periferi të Moskës, raporton The Kyiv Independent.
Aeroportet e Moskës: Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky, vendosën kufizime të përkohshme të fluturimeve gjatë sulmit, sipas Agjencisë Federale të Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya).
Kievi përdor rregullisht dronë me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva ushtarake dhe industriale në Rusi, përfshirë rafineritë e naftës, fabrikat e armëve dhe depot e municionit.
Raportohet se Ukraina kishte shënjestruar Moskën me mbi 30 dronë si pjesë e një sulmi të gjerë kundër Rusisë më 27 tetor.























