Zelenskyy takon të dërguarit e SHBA-së në Berlin për paqen në Ukrainë
M.M./ RTKlive
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe të dërguarit e SHBA-së mbërritën të dielën në Berlin për një tjetër raund bisedimesh, për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa Moska dhe Kievi vazhdojnë të mbajnë qëndrime thellësisht të kundërta lidhur me një marrëveshje të mundshme paqeje.
Zelenskyy tha se zyrtarët ukrainas, amerikanë dhe evropianë do të zhvillojnë një sërë takimesh. Ai deklaroi se do të takohet personalisht me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, në Berlin.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përmes mesazheve audio në një grup WhatsApp, Zelenskyy theksoi nevojën që Ukraina të marrë garanci të forta nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, të ngjashme me ato që u ofrohen vendeve anëtare të NATO-s, pasi SHBA-ja dhe disa shtete evropiane kanë bllokuar kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake.
“Këto garanci sigurie janë një mundësi për të parandaluar një valë tjetër agresioni rus”, tha ai. “Dhe kjo tashmë është një kompromis nga ana jonë”.
Zelenskyy nënvizoi se çdo garanci sigurie duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe të mbështetet nga Kongresi i SHBA-së, duke shtuar se pret një përditësim nga ekipi i tij pas një takimi mes zyrtarëve ushtarakë ukrainas dhe amerikanë në Shtutgart.
Ai tha se do të takohet veçmas me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, e, ndoshta, edhe me liderë të tjerë evropianë më vonë gjatë mbrëmjes. Po ashtu, bëri të ditur se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga SHBA-ja lidhur me propozimet më të fundit të Ukrainës për planin e paqes.
Uashingtoni ka muaj që përpiqet të balancojë kërkesat e të dyja palëve, ndërsa Trump po ushtron presion për një përfundim të shpejtë të luftës së Rusisë dhe po shfaq gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj vonesave. Përpjekjet për të gjetur kompromise të mundshme janë përballur me pengesa të mëdha, përfshirë çështjen e kontrollit të rajonit lindor ukrainas të Donetskut, i cili është kryesisht nën pushtimin e forcave ruse.























