Sulmi në Australi, Mbreti Charles: `I tronditur dhe i pikëlluar`
M.M./ RTKlive
Mbreti Charles ka deklaruar se është “i tronditur dhe i pikëlluar nga sulmi më i tmerrshëm antisemit terrorist ndaj hebrenjve” gjatë një feste të Hanukës në Australi.
Sipas policisë, të paktën 11 persona u vranë nga të shtënat në Bondi Beach të dielën, ndërsa 29 të tjerë u dërguan në spital.
Mbreti tha se ai dhe Mbretëresha Camilla “shprehin ngushëllimet të gjithë atyre që janë prekur kaq rëndë”. Ai vlerësoi “frymën e komunitetit dhe të dashurisë që shkëlqen kaq fort në Australi”, duke shtuar se drita në zemër të festës së Hanukës “do të triumfojë gjithmonë mbi errësirën e një të keqeje të tillë”, raporton BBCNews.
Nga ana e tij, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, e përshkroi sulmin si “tronditës” dhe tha se po vazhdojnë përpjekjet për të shtuar masat e sigurisë dhe policimin e ngjarjeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një deklaratë në platformën X, kryeministri tha: “Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë gjithmonë krah Australisë dhe komunitetit hebre.” Ai shtoi se qeveria po punon me Community Security Trust (CST), një organizatë sigurie hebreje, për policimin e ngjarjeve të Hanukës në Mbretërinë e Bashkuar.
Hanuka, e njohur edhe si Chanukah, është festa e dritës dhe zakonisht festohet në muajin dhjetor.























