Militantë serbë për Putinin, rrezik për Ballkanin
Sh.Ç|RTKlive
Një brez i ri nacionalistësh serbë po përgatitet për skenarë lufte në Bosnje, raporton “The Telegraph”, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë rajonale tri dekada pas përfundimit të konfliktit.
Sipas raportimeve, nacionalistë serbë, përfshirë edhe veteranë të Luftës së Bosnjës, po i shfrytëzojnë rrjetet sociale për të nxitur të rinjtë që t’u bashkohen atyre në Rusi. Në disa raste, ofrohen deri në 23 mijë funte për ata që regjistrohen dhe luftojnë në Ukrainë.
Ekziston frika se, pas kthimit në Bosnjë, këta individë mund të nxisin një konflikt paramilitar, gati 30 vjet pas përfundimit të luftës në këtë vend.
Një rast i tillë është ai i Dario Ristiqit, një nacionalist serb që u kthye në Bosnjë duke çaluar me një këmbë protezë dhe duke mbajtur dokumente të shtetësisë së sapofituar. Ai ishte plagosur gjatë luftimeve në Ukrainë, ku kishte qenë pjesë e njësitit rus të njohur si “Arinjtë nga Permi”.
Gjatë qëndrimit në Ukrainë, Ristiq njihej me nofkën e luftës “i shpejti” dhe lidhej me sulme me snajper dhe dron në zona si Avdiivka.
Paralelisht, ai forcoi praninë e tij në rrjete sociale si TikTok dhe platforma ruse Vkontakte, ku tërhiqte të rinj serbë të pakënaqur politikisht, duke glorifikuar luftimet në vijën e frontit dhe duke përhapur mesazhe nacionaliste.
Njësia e tij ruse i kishte dërguar madje një kartolinë për ditëlindje Ratko Mlladiqit, kriminelit të luftës të dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë për mizoritë ndaj boshnjakëve myslimanë.
Në një video të publikuar në Telegram, Ristiq shfaqet pranë një bashkëkombasi, i cili u drejtohet ndjekësve në Serbi dhe Bosnjë me fjalët.
“Sapo të mbarojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rifituar atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi ‘Nënës Rusi’ – drejt fitores”, ka theksuar ai, raporton “The Telegraph".
Ristiq u arrestua në Aeroportin e Sarajevës për bashkim me një njësi paraushtarake të huaj. Më pas ai u lirua nga paraburgimi dhe u vendos në arrest shtëpiak, në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor.
I kontaktuar në shtëpinë e tij në Modrica, ai u shpreh shkurt se “do të doja të flisja me ju, por ligji më ndalon. Ndoshta në të ardhmen”.
Edhe pse tashmë larg frontit, autoritetet e konsiderojnë atë një rrezik të vazhdueshëm për rekrutim, pasi ka mbi 10 mijë ndjekës në internet. Atij i bashkohen edhe nacionalistë të tjerë, kryesisht veteranë të luftës në Bosnjë, të cilët vazhdojnë të përhapin ideologji përçarëse tek të rinjtë.
Sipas analistit politik Sreçko Latal, këta ekstremistë ushqejnë bindjen se Rusia një ditë do t’ua “shlyejë borxhin me gjak” duke i ndihmuar në realizimin e idesë së Serbisë së Madhe.
“Numri i tyre është i vogël, por ndikimi i tyre është i rrezikshëm”, thekson Latal.
“Ata arrijnë të tërheqin të rinj të pakënaqur, të cilët janë të prekshëm ndaj mesazheve nacionaliste. Ashtu si IRA në Irlandën e Veriut, nuk nevojiten shumë individë të armatosur për ta vënë në rrezik ekuilibrin e paqes”, theksoi ai.























