Zelensky takon udhëheqësit evropianë në përpjekje për marrëveshje paqeje
Luan Qorraj /RTK
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është duke u takuar me udhëheqësit evropianë, pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesit amerikanë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për ndaljen e luftës, e cila nisi gati katër vjet më parë.
Zelensky po zhvillon takime me liderët evropianë me synimin për të gjetur një mënyrë të mundshme për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, e cila do të ishte e pranueshme si për Kievin ashtu edhe për Moskën.
Këto takime vijnë menjëherë pas bisedimeve me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të cilat nga të dyja palët u përshkruan si produktive. Megjithatë, pjesëmarrësit theksuan se ende nevojitet shumë punë për të arritur një marrëveshje që do të pranohej nga të dyja palët në konflikt. Disa media kanë raportuar se përfaqësuesit amerikanë kanë deklaruar se është shënuar përparim i madh në lidhje me garancitë e sigurisë të kërkuara nga Ukraina.
Zelensky, gjatë ditës së djeshme, sinjalizoi se Ukraina është e gatshme të bëjë koncesione, duke deklaruar se Kievi mund të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO, me kusht që aleatët t’i ofrojnë garanci të forta sigurie. Po ashtu, ka shenja se Ukraina mund të pranojë edhe ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit.
Megjithatë, çështja kryesore, ajo e zyrtarizimit të pushtimit rus të territoreve ukrainase, mbetet e pazgjidhur. Ndërsa Moska vazhdon të kërkojë koncesione territoriale, Kievi insiston se ndryshimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Ukrainës dhe se një gjë e tillë nuk do të pranohej nga popullata.























