SHBA sulmon ISIS-in në Siri pas vrasjes së ushtarëve amerikanë
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA sulmon ISIS-in në Siri pas vrasjes së ushtarëve amerikanë

Flutura Bekqeli / RTK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se ushtria amerikane ka kryer një sulm masiv kundër grupit terrorist ISIS në Siri, në përgjigje të një sulmi vdekjeprurës ndaj forcave amerikane në këtë vend.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe artileri kanë goditur më shumë se 70 objektiva në disa lokacione në Sirinë qendrore. Në operacion kanë marrë pjesë edhe avionë nga Jordania.

Sipas CENTCOM-it, operacioni ka përdorur mbi 100 municione precize, duke synuar infrastrukturën dhe lokacionet e njohura të armatimit të ISIS-it.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të po godasin “shumë fuqishëm” fortesat e ISIS-it, pas pritës së 13 dhjetorit në qytetin Palmyra, ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se operacioni “nuk është fillimi i një lufte, por një deklaratë hakmarrjeje”.

CENTCOM më herët kishte njoftuar se sulmi në Palmyra ishte kryer nga një person i armatosur i ISIS-it, i cili më pas është neutralizuar dhe vrarë.

Në pritë mbetën të plagosur edhe tre ushtarë të tjerë amerikanë. Sipas një zyrtari të Pentagonit, sulmi ndodhi “në një zonë që nuk është nën kontrollin e presidentit sirian”. Asnjë grup nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin dhe identiteti i sulmuesit nuk është bërë publik.

Në vitin 2019, një aleancë luftëtarësh sirianë e mbështetur nga SHBA-të njoftoi se ISIS kishte humbur territorin e fundit që kontrollonte në Siri. Megjithatë, grupi xhihadist ka vazhduar të kryejë sulme sporadike. Trupat amerikane kanë qenë të pranishme në Siri që nga viti 2015, në kuadër të fushatës për trajnimin e forcave partnere dhe luftën kundër ISIS-it.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota