Moska i cilëson konstruktive takimet në SHBA, Putini do takim me Macronin
RTKlive
Bisedimet e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara me synim gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë janë vlerësuar si konstruktive nga pala ruse. Kështu ka deklaruar negociatori rus Kirill Dmitriev, duke theksuar se diskutimet me përfaqësuesit amerikanë kanë ecur pozitivisht deri më tani.
Sipas këshilltarit të Kremlinit, bisedimet, të cilat kanë nisur të shtunën, pritet të vazhdojnë edhe të dielën. Në takimet që po mbahen në Miami të Floridës marrin pjesë i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Ndërkohë, Kremlini ka bërë të ditur se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të zhvillojë bisedime edhe me presidentin francez Emmanuel Macron lidhur me luftën në Ukrainë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se një dialog i tillë do të ishte pozitiv, nëse ekziston vullnet i ndërsjellë politik.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se rifillimi i bisedimeve me Moskën është “në interesin e evropianëve dhe të Ukrainës”, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund konfliktit.























