Autoritetet amerikane ndalojnë një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës
BKT
Rajoni dhe Bota

Autoritetet amerikane ndalojnë një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës

Dardan Ramabaja /RTK

Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës në ujëra ndërkombëtare, konfirmoi të shtunën Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, Kristi Noem, një veprim që vjen vetëm disa ditë pasi presidenti Donald Trump njoftoi një "bllokadë" të të gjitha anijeve cisternë të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Noem konfirmoi se Roja Bregdetare ka ndaluar një cisternë që ishte ankoruar për herë të fundit në Venezuelë.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar që përdoret për të financuar narkoterrorizmin në rajon", tha ajo në një deklaratë të postuar në mediat sociale.

Qeveria e Venezuelës e quajti ndalimin e cisternës një "akt serioz piraterie ndërkombëtare". "Venezuela denoncon dhe hedh poshtë vjedhjen dhe rrëmbimin e një anijeje të re private që transportonte naftë, si dhe zhdukjen me forcë të ekuipazhit të saj, të kryera nga personeli ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ujërat ndërkombëtare", thuhet në deklaratë. Kompania britanike e menaxhimit të riskut detar Vanguard tha se anija besohej të ishte Centuries me flamur të Panamasë, e cila u kap në lindje të Barbadosit në Detin e Karaibeve. Jeremy Paner, nga nga firma ligjore Hughes Hubbard, thotë se anija nuk është sanksionuar nga SHBA-të.

"Konfiskimi i një anijeje që nuk është sanksionuar nga SHBA-të shënon një rritje të mëtejshme të presionit të Trump mbi Venezuelën", ka thënë Paner.

Trump tha të martën se po urdhëronte "Një bllokadë të plotë të të gjitha cisternavetë sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela".

Që kur forcat amerikane sekuestruan një cisternë nafte të sanksionuar pranë brigjeve të Venezuelës javën e kaluar, ka pasur një embargo efektive në fuqi, me anije të ngarkuara që transportonin miliona fuçi nafte që qëndronin në ujërat e Venezuelës në vend që të rrezikonin sekuestrimin.

Që nga sekuestrimi i parë, eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë rënë ndjeshëm.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota