Trump: Kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë tonë kombëtare
Sh.Ç|RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikthyer në vëmendje interesin amerikan për Groenlandën, duke e cilësuar ishullin si një element kyç për sigurinë strategjike të vendit dhe jo si një burim ekonomik.
Presidenti Trump theksoi se prania në Groenlandë lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e hapësirave detare dhe aktivitetin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Arktik.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare, jo për mineralet...Ne kemi kaq shumë vende për minerale dhe naftë dhe gjithçka. Ne kemi më shumë naftë se çdo vend tjetër në botë. Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare. Dhe nëse e shikoni Groenlandën, shikoni lart e poshtë bregdetit, keni anije ruse dhe kineze kudo. Ne kemi nevojë për sigurinë kombëtare. Duhet ta kemi”, theksoi ai.
Deklaratat e presidentit vijnë në një moment tensioni diplomatik me Danimarkën, pas vendimit të Uashingtonit për të emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si përfaqësues të posaçëm për Groenlandën. Kopenhaga reagoi ashpër, duke thirrur ambasadorin amerikan për sqarime.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, e quajti emërimin të papritur dhe kritikoi deklaratat publike të Landry-t, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme dhe jashtë normave diplomatike.
Çështja e Groenlandës mbetet një temë e ndjeshme në marrëdhëniet SHBA–Danimarkë, ndërsa zhvillimet në Arktik po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë në politikën globale të sigurisë.























