Djali i Zinedine Zidane: Për kalimin te Algjeria u ndikova nga gjyshi
BKT
Sport

Djali i Zinedine Zidane: Për kalimin te Algjeria u ndikova nga gjyshi

Uran Krasniqi / RTKLive

Luca Zidane, djali i legjendës së futbollit francez, Zinedine Zidane, ka treguar se vendimi për të luajtur me Kombëtaren e Algjerisë është ndikuar nga gjyshi i tij. Ai më herët në kategoritë e reja e kishte përfaqësuar Francën.

 

Që në fillim të karrierës, për të shmangur krahasimet me të atin, ai kishte zgjedhur të luajë si portier.

Së fundmi, Luca Zidane është bërë portieri i parë i Kombëtares së Algjerisë. Babai i tij, Zinedine Zidane, e ndoqi nga tribuna ndeshjen hapëse të Algjerisë ndaj Sudanit në Kupën e Afrikës, e cila u fitua 3-0 nga ekipi i drejtuar nga Vladimir Petković.

Edhe pse nuk u vu shumë në provë gjatë ndeshjes, Luca bëri një pritje të rëndësishme kur rezultati ishte 1-0, duke treguar siguri në portë.

“Kur mendoj për Algjerinë, gjithmonë më kujtohet gjyshi im. Që nga fëmijëria, në familjen tonë ka ekzistuar kultura algjeriane”, ka deklaruar Luca Zidane për "BeIN Sports France".

Ai ka shtuar se gjyshi i tij është shumë krenar për këtë vendim dhe e mbështet vazhdimisht.

Mbështetje për këtë hap Luca ka marrë edhe nga babai i tij. Sipas tij, Zinedine Zidane i ka thënë se vendimi është personal dhe se ai mund ta këshillojë, por zgjedhja përfundimtare i takon vetë atij.

Luca Zidane aktualisht luan në Spanjë me Granadën, pas një periudhe të kaluar te Real Madrid. Ndryshe nga klubet, ku ka mbajtur emrin “Luca” në fanellë, ai ka vendosur që në Kombëtaren e Algjerisë të mbajë mbiemrin “Zidane”.

“Për mua është shumë e rëndësishme ta nderoj gjyshin duke luajtur për kombëtaren. Kjo fanellë është për të”, ka përfunduar Luca Zidane.