Kush është Nicolas Maduro?
Bardhyl Bajrami / RTK
Nicolas Maduro është një nga figurat më të debatueshme të Amerikës Latine. Është trashëgimtar politik i Hugo Chavezit, i cili ka udhëhequr vendin gjatë një periudhe të shënuar nga kriza e thellë ekonomike, tensionet e brendshme politike dhe përplasje të vazhdueshme me Perëndimin, ndërkohë që ka forcuar aleancat me Rusinë, Kinën dhe Iranin. Maduro është president i Venezuelës që nga viti 2013.
Nicolás Maduro Moros ka lindur më 23 nëntor 1962 në Karakas. Para angazhimit politik, ai ka punuar si shofer autobusi dhe ka qenë aktiv në lëvizjen sindikale, ku u formësua ideologjikisht në të majtën radikale. Në fillim të viteve 2000 u bë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Hugo Chávez-it, duke u emëruar deputet, më pas Ministër i Punëve të Jashtme dhe në fund nënkryetar i vendit.
Pas vdekjes së Chávez-it në vitin 2013, Maduro u zgjodh president dhe u paraqit si garantues i vazhdimësisë së “Revolucionit Bolivarian”, duke premtuar drejtësi sociale dhe sovranitet kombëtar.
Gjatë qeverisjes së Madurros, Venezuela është përballur me krizën më të rëndë ekonomike në historinë e saj moderne. Hiperinflacioni, rënia drastike e prodhimit të naftës, mungesat e produkteve bazë dhe kolapsi i shërbimeve publike kanë shtyrë mbi shtatë milionë qytetarë të largohen nga vendi, sipas Kombeve të Bashkuara.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nën udhëheqjen e tij janë kundërshtuar vazhdimisht nga opozita dhe janë vënë në pikëpyetje nga SHBA-ja, BE-ja dhe organizata të të drejtave të njeriut, të cilat e akuzojnë qeverinë për autoritarizëm dhe shtypje të opozitës. Qeveria e Madurros, nga ana tjetër, fajëson sanksionet ndërkombëtare për përkeqësimin e gjendjes ekonomike.
Në politikën e jashtme, Maduro ka ndjekur linjën e paraardhësit të tij, duke forcuar marrëdhëniet strategjike me Rusinë, Kinën, Iranin dhe Kubën. Ai është shfaqur si një nga kritikët më të ashpër të Shteteve të Bashkuara në rajon, ndërsa marrëdhëniet me vendet perëndimore mbeten të tensionuara.
Pavarësisht kësaj, në vitet e fundit janë shënuar përpjekje të ndërmjetësuara për dialog me opozitën dhe për normalizimin gradual të disa marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos në kontekstin e energjisë dhe sanksioneve ndaj sektorit të naftës.























