Fotografitë e kapjes së Maduro nga forcat amerikane të gjeneruara me AI
RTKlive
Fotografitë që pretendojnë se tregojnë kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, nga forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë rezultuar të jenë të rreme dhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (AI).
Menjëherë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij ishin “kapur dhe larguar nga vendi”, në rrjete sociale filloi të qarkullonte një imazh ku Maduro shihej i shoqëruar nga dy agjentë të Administratës Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA). Fotografia u bë virale brenda pak minutash, raporton spotlight.ebu.ch.
Megjithatë, nuk pati asnjë provë të menjëhershme që fotografia ishte autentike. Versione më të pastra të së njëjtës pamje u analizuan dhe u konfirmua se përmbanin elemente të gjeneruara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale.
Foto e rreme me pamje “televizive”
Njëra nga fotografitë më të shpërndara tregonte Maduro duke u shoqëruar nga dy agjentë të DEA-s, me një avion të vogël në sfond. Në pjesën e poshtme të imazhit shfaqej tekst që i ngjante një shiriti lajmesh televizive, së bashku me grafika shtesë, duke krijuar përshtypjen se fotografia ishte marrë nga një ekran televiziv.

Edhe pse fotografimi i një ekrani e bën më të vështirë zbulimin e përdorimit të AI-së, një version më i qartë i imazhit u analizua me programin SynthID, i cili konfirmoi se fotografia ishte krijuar ose manipuluar me softuer të inteligjencës artificiale të Google.
Sipas analizës, shenjat e watermark-ut digjital u zbuluan në zona të vogla të fotos. Efektiviteti i këtij sistemi mund të reduktohet nga shtimi i filtrave, stampave të datës apo efekteve të zhurmës vizuale – elemente që duket se janë përdorur për ta bërë imazhin të duket më autentik.

Ekspertët theksojnë se vetë zbulimi i watermark-ut, edhe në pjesë të kufizuara të fotos, është një tregues i fortë se është përdorur inteligjencë artificiale e Google, pasi SynthID është një sistem më i besueshëm se mjetet e tjera që vetëm analizojnë mospërputhje vizuale.

Edhe fotografitë e tjera nga “aeroporti” janë të rreme
Pas fotos së parë, në rrjete sociale u shpërndanë edhe imazhe të tjera që supozohej se tregonin Maduro duke u shoqëruar nga agjentë amerikanë në një pistë aeroporti, pas arrestimit të tij të pretenduar.
Këto fotografi ishin me rezolucion më të lartë dhe të stilizuara për të ngjarë si imazhe të realizuara nga fotografë zyrtarë të autoriteteve amerikane. Një seri e tillë fotosh u publikua edhe në Instagram, me mbishkrimin: “Më shumë foto të Madurós të kapur nga SHBA”.

Të gjitha fotografitë në karuselin e publikuar në Instagram janë analizuar dhe janë konfirmuar si të gjeneruara me inteligjencë artificiale nga programi SynthID i Google, me watermark-e të zbuluara me nivel shumë të lartë besueshmërie në pjesë të mëdha të imazheve.

Një tjetër tregues për natyrën e rreme të imazheve vjen nga profili i publikuesit, i cili në biografinë e tij përshkruhet si “profesionist në inteligjencë artificiale” dhe trajner për “si të zotërohet AI dhe After Effects”.
Trump publikon zyrtarisht një fotografi
Ndërkohë që gjatë gjithë mëngjesit pas operacionit nuk u publikuan fotografi zyrtare nga autoritetet amerikane, presidenti amerikan Donald Trump ndau më vonë një fotografi të Nicolás Maduro-s në rrjetin social Truth Social.
Në fotografi, presidenti venezuelian shihet i veshur me një kostum sportiv gri të markës Nike, dukej sikur ishte në rrugë drejt Shteteve të Bashkuara. Ai mbante gjithashtu mbrojtëse për sytë dhe për veshët. Veshja është e ndryshme nga ajo që shihet në imazhet e gjeneruara me inteligjencë artificiale, si dhe nga fotografitë e tjera të pakonfirmuara që e paraqisnin atë në aeroplan me veshje më formale.
Në imazh, Maduro duket se shoqërohet nga një agjent i Administratës Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA), megjithëse kjo nuk është plotësisht e qartë për shkak të mënyrës se si fotografia është prerë. Donald Trump e shoqëroi fotografinë me mbishkrimin: “Nicolás Maduro në bord të USS Iwo Jima.”

Rreziku nga përhapja e përmbajtjeve të gjeneruara me AI
Mjete si SynthID i Google e kanë bërë më të lehtë identifikimin e disa përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Megjithatë, përhapja e materialeve shumë të sofistikuara të krijuara me AI gjatë ngjarjeve të mëdha dhe lajmeve urgjente po rritet vazhdimisht, duke rrezikuar të dëmtojë kuptimin e saktë të zhvillimeve botërore nga ana e mediave dhe publikut.























