SHBA ndalon një tjetër tanker të `flotës në hije` në Karaibe
Bardhyl Bajrami/RTK
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë marrë nën kontroll tankerin venezuelas "Marinera", i cili po lundronte nën flamurin rus. Ndërkohë ka reaguar Ministria ruse e Transportit, e cila ka deklaruar se asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcën kundër anijeve të regjistruara në mënyrë të rregullt nën juridiksionin e shteteve të tjera.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë marrë nën kontroll tankerin venezuelas “Marinera”, më herët e regjistruar si “M/V Bella 1” dhe po lundronte nën flamurin rus. Forcat amerikane kanë zbarkuar në anije dhe e kanë konfiskuar atë.
Njoftimi është bërë nga Komanda Evropiane e SHBA-së, e cila ka sqaruar se Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Sigurisë së Brendshme e kanë sekuestruar anijen në bazë të një urdhër-ndalimi nga Gjykata Federale, për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve amerikane, tankeri më herët ishte regjistruar në mënyrë të rreme dhe kishte lundruar nën flamurin e Guajanës. Operacioni i sotëm pason një përpjekje të mëhershme për zbarkim në këtë anije në rajonin e Karaibeve, kur dyshohej se po udhëtonte drejt Venezuelës.
Ndërkohë, Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka marrë nën kontroll edhe një anije tjetër cisternë në Detin e Karaibeve. Anija, e identifikuar si M/T Sophia, po lundronte pa flamur shtetëror, si pjesë e asaj që njihet si “flota në hije”, dhe ishte e përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Roja Bregdetare e SHBA-së ka bërë të ditur se anija u ndalua para agimit të së mërkurës, teksa operonte në ujëra ndërkombëtare dhe dyshohet se po transportonte naftë në shkelje të sanksioneve.
Pas këtyre veprimeve, ka reaguar edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili në rrjetin social X ka shkruar se: “Bllokada ndaj naftës së sanksionuar dhe të paligjshme të Venezuelës mbetet në fuqi të plotë kudo në botë”.























