Përfaqësuesit e pushtetit në Serbi thonë se Evropa vepron njëanshëm|VIDEO
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Në kohën kur Serbia do të duhej të përafrohej me Bashkimin Evropian, ky i fundit ka refuzuar takimet me delegacionin e Parlamentit Evropian.
Delegacioni i Parlamentit Evropian po qëndron në Beograd në një atmosferë tensionesh dhe distance të hapur nga pushteti. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, të cilët ndodhen jashtë vendit, refuzuan takimin me eurodeputetët, duke e akuzuar misionin e Parlamentit Evropian për ndërhyrje në punët e brendshme.
Ndërkohë, përfaqësuesit e pushtetit në Kuvend vlerësuan se delegacioni i Parlamentit Evropian po vepron me qëndrime të njëanshme, duke kontestuar kritikat ndaj gjendjes së demokracisë në Serbi.
“Asnjë mision i huaj nuk do të përcaktojë se kush do të jetë pushtet këtu apo të rrëzojë rendin kushtetues. Serbia është një vend sovran dhe i pavarur. Nuk kemi parë ndonjë provë që përdoret kundër autoriteteve në Serbi në atë rezolutë të miratuar”, tha Marina Ragus, nënkryetare e Kuvendit të Serbisë.
Nga ana tjetër, takimet e eurodeputetëve me opozitën nxorën në pah thellësinë e krizës politike dhe institucionale. Opozita proevropiane akuzoi pushtetin për abuzim të fondeve evropiane, shtypje të mediave dhe forcim të autoritarizmit, duke kërkuar sanksione personale ndaj pushtetit dhe përjashtimin e SNS-së nga Partia Popullore Evropiane.
“Biseduam për natyrën thelbësisht kriminale të regjimit të Vuçiqit, me synim ndarjen e qartë të regjimit nga Serbia. Ky regjim përfaqëson interesa kriminale të një klike në pushtet dhe jo qytetarët. Misioni i Parlamentit Evropian tregoi njohje të lartë të fakteve”, tha Borko Stefanoviq.
Opozita theksoi se “Serbia ka një alternativë evropiane” dhe se “Aleksandër Vuçiq nuk është e vetmja adresë dhe as garancia e së ardhmes evropiane të Serbisë”.
Kjo vizitë vjen pas rezolutave që kërkojnë hetim të plotë të tragjedisë në Novi Sad dhe paralajmërimeve për rritje të represionit, në një kohë kur integrimet evropiane të Serbisë janë prej vitesh në stagnim për shkak të reformave të kufizuara dhe mospërputhjes së politikës së jashtme me Bashkimin Evropian.























