Vrasja e një qytetari në Minneapolis të SHBA-ve shkaktoi protesta e zemërim
Dardan Ramabaja|RTK
Agjentët federalë të imigracionit në SHBA kanë vrarë një tjetër shtetas amerikan në qytetin Minneapolis, gjë që ka shkaktuar protesta dhe zemërim
Zyrtarët thanë se agjentët amerikanë të emigracionit qëlluan dhe vranë një shtetas amerikan në Minneapolis të shtunën, duke shkaktuar protesta dhe dënime të ashpra nga udhëheqësit lokalë në incidentin e dytë të tillë këtë muaj.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare e karakterizoi incidentin si një sulm, duke thënë se një agjent i Patrullës Kufitare qëlloi në vetëmbrojtje pasi një burrë iu afrua me një pistoletë dhe i rezistoi dhunshëm përpjekjeve për ta çarmatosur.
Por videot e kalimtarëve nga vendi i ngjarjes, të verifikuara dhe të shqyrtuara nga agjensia e lajemeve Reuters, treguan burrin, të identifikuar si 37-vjeçari Alex Pretti, duke mbajtur një telefon në dorë, jo një armë, ndërsa përpiqet të ndihmojë protestuesit e tjerë që janë shtyrë përtokë nga agjentët.
Aty, Pretti mund të shihet duke filmuar ndërsa një agjent federal shtyn një grua dhe një tjetër e rrëzon përtokë. Pretti lëviz mes agjentit dhe grave, pastaj ngre krahun e majtë për t'u mbrojtur ndërsa agjenti e qëllon me sprej.
Disa agjentë më pas e kapin Prettin - i cili lufton me ta - dhe e detyrojnë të bjerë në duar dhe në gjunjë. Ndërsa agjentët e kapin Prettin, dikush bërtet atë që tingëllon si një paralajmërim për praninë e një arme. Pamjet më pas duket se tregojnë një nga agjentët duke i hequr një armë Prettit dhe duke u larguar nga grupi me të.
Pak çaste më vonë, një oficer me një pistoletë të drejtuar nga shpina e Prettit qëllon katër herë drejt tij me radhë, tregojnë pamjet filmike. Disa të shtëna të tjera dëgjohen më pas, ndërsa një agjent tjetër duket se qëllon drejt Prettit.
Agjentët fillimisht tërhiqen nga trupi i Prettit në rrugë. Disa agjentë duket se i ofrojnë ndihmë mjekësore Prettit ndërsa ai shtrihet në tokë, ndërsa agjentë të tjerë i mbajnë kalimtarët larg.
Vrasja e Prettit, një infermier i kujdesit intensiv, tërhoqi qindra protestues në lagje për t'u përballur me agjentët e armatosur dhe të maskuar, të cilët përdorën gaz lotsjellës dhe granata shkrepëse. Demonstrata shpërthyen gjithashtu në Nju Jork, Uashington D.C. dhe San Francisko, ndër qytete të tjera.
Kjo gjithashtu rriti tensionet mes zyrtarëve shtetërorë dhe federalë, tashmë në kundërshtim me administratën Trump për shkak të vrasjes së një shtetaseje tjetër amerikane, Renee Good, më 7 janar.























