Trump dhe Walz në ton pajtues rreth situatës për dëbimet e emigrantëve
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump dhe Walz në ton pajtues rreth situatës për dëbimet e emigrantëve

Dardan Ramabaja / RTK

Presidenti Donald Trump dhe Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, arritën një ton pajtues pas një telefonate private të hënën, një shenjë kjo se të dyja palët duan të qetësojnë situatën rreth fushatës së dëbimit të emigrantëve të urdhëruar nga Trump, e cila ka lënë të vdekur dy qytetarë amerikanë në Minneapolis ditëve të fundit.

Trump dhe kryetari i bashkisë së Minneapolisit , Jacob Frey, folën gjithashtu në telefon të hënën, kurse komentet e tyre të mëvonshme ishin po ashtu optimiste.

Një tjetër shenjë shtensionimi ishte konfirmimi nga një zyrtar i lartë i administratës Trump se Gregory Bovino, zyrtar i lartë i Patrullës Kufitare të SHBA-së, i cili ka qenë objekt kritikash nga demokratët dhe aktivistët e lirive civile, do të largohet nga Minesota së bashku me disa nga agjentët e vendosur me të.

Ndërsa Tom Homan do të zëvendësojë Bovinon dhe përpjekjet në terren në qytetin e Minesotës, pasi të shtënat me armë zjarri ndaj Alex Prettit të shtunën përfundimisht, përshkallëzuan situatën.

Vetë Trump tha më parë se Homan po dërgohej në Minesota, duke shtuar se Homan "nuk kishte qenë i përfshirë" në operacione, por se "i njeh dhe i pëlqen shumë nga njerëzit atje".

Lajmi për largimin e Bovinos u raportua për herë të parë nga The Atlantic të hënën, duke cituar një zyrtar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr Patrullën Kufitare dhe Imigracionin dhe Doganat, dhe dy të tjerë me dijeni për ndryshimin.

Vendimi i presidentit Donald Trump mund të tregojë interesin e administratës për të hequr dorë nga veprimet më agresive federale në goditjen e tij mbarëkombëtare kundër imigracionit.

Pavarësisht njoftimit, gjurmimi në internet tregon se bastisjet e imigracionit kanë vazhduar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota