Guardiola kërkon më shumë nga Man City për ta ndihmuar Haaland
Uran Krasniqi / RTKLive
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, u ka bërë thirrje lojtarëve të ekipit të tij që ta rrisin nivelin e lojës për ta ndihmuar Erling Haaland të rikthehet te golat.
Sulmuesi norvegjez nuk ka shënuar nga loja e hapur që nga para Krishtlindjeve, edhe pse vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i Premier League me njëzet gola.
“Duhet të krijojmë më shumë raste. Nëse e bëjmë këtë, ai do të shënojë”, ka thënë Guardiola para ndeshjes së Champions League kundër Galatasaray.
Haaland është lënë jashtë formacionit startues në fitoren 2-0 ndaj Wolves, ndërsa Guardiola ka thënë se vendimi ishte marrë për ta çliruar sulmuesin norvegjez mendërisht dhe fizikisht.
Manchester City gjendet aktualisht jashtë tetë skuadrave të para në Champions League dhe ka nevojë për fitore për të përmirësuar pozicionin në renditje. Për këtë ndeshje, City do të jetë pa Rodrin e suspenduar dhe disa lojtarë të lënduar.























