Diplomati i Iranit shpreson që do të ketë negociata me Uashingtonin
Dardan Ramabaja / RTK
Edhe pse forcat amerikane janë gati të godasin Iranin, Ministri i Jashtëm i vendit, Abbas Araghchi, ka deklaruar për rrjetin CNN të dielën se ishte "i bindur se mund të arrijmë një marrëveshje" me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor të Teheranit.
"Për fat të keq, ne kemi humbur besimin tonë (tek) SHBA-të si partner negociues", ka deklaruar ai, por shkëmbimi i mesazheve përmes vendeve miqësore në rajon po lehtësonte bisedimet "frytdhënëse" me SHBA-të.
Duke refuzuar të premtonte se Irani do të angazhohej në bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët amerikanë, Araghchi theksoi nevojën për t'u marrë me "substancën e negociatave" dhe jo me formën.
Duket se kishte një optimizëm të ngjashëm nga ana e SHBA-së këtë fundjavë. Në bordin e Air Force One të shtunën, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tha gazetarëve se Irani "po bisedonte seriozisht me ne".
Komentet vijnë ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, përdori një ton sfidues, duke paralajmëruar se çdo sulm i SHBA-së ndaj Iranit do të rezultonte në një luftë rajonale.
Khamenei i tha një turme në xhaminë Imam Khomeini në Teheran të dielën se Irani “nuk ka ndërmend të sulmojë asnjë vend, por kombi iranian do t’i japë një goditje të fortë kujtdo që e sulmon dhe e ngacmon atë”, sipas mediave shtetërore.
Duke iu përgjigjur komenteve Khaemeit të dielën, Trump tha se bota së shpejti do të shohë nëse Khamenei kishte të drejtë kur paralajmëroi se një sulm i SHBA-së do të shkaktonte një luftë rajonale. "Pse nuk do ta thoshte ai (Khamei) këtë. Sigurisht, mund ta thoshte këtë," tha Trump, duke shtuar se SHBA ka anijet më të mëdha dhe më të fuqishme në botë, atje, shumë afër Iranit.
Progresi drejt negociatave të rinovuara duket se është penguar për shkak të kërkesave iraniane që ato të përqendrohen në çështjet bërthamore - dhe refuzimit të SHBA-së për të zvogëluar praninë e saj ushtarake në rajon.























