Skadon traktati New START, rritet frika për garë të re bërthamore
BKT
Rajoni dhe Bota

Skadon traktati New START, rritet frika për garë të re bërthamore

Bardhyl Bajrami / RTK

Traktati New START, marrëveshja e fundit që kufizonte arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë, ka skaduar, duke rritur frikën për një garë të pakontrolluar armatimi.

Marrëveshja, e cila hyri në fuqi në vitin 2011, vendoste kufij të rreptë për numrin e kokave bërthamore dhe mjeteve lëshuese të dy vendeve, si dhe siguronte transparencë dhe parashikueshmëri.

Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se mungesa e kufizimeve rrit rrezikun e keqllogaritjeve dhe përshkallëzimit të shpejtë drejt një konflikti bërthamor. Ndërkohë, administrata e presidentit Donald Trump ka shprehur pak shqetësim për skadimin e traktatit, duke theksuar se një marrëveshje e re duhet të përfshijë edhe Kinën, e cila po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor.

Kina ka refuzuar vazhdimisht negociata trepalëshe, ndërsa Rusia ka deklaruar se tashmë nuk ndihet më e detyruar nga asnjë kufizim i traktatit. Disa ish-zyrtarë amerikanë dhe ekspertë të kontrollit të armëve paralajmërojnë se kjo situatë mund të çojë në një garë të rrezikshme trepalëshe mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, duke rritur pasigurinë globale dhe rrezikun e konfliktit bërthamor.

Sekretari i OKB-së Antonio Guterres ka tha se bota po hyn në një territor të panjohur, pa kufizime të mbetura ligjërisht të detyrueshme mbi arsenalet bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

"Për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, përballemi me një botë pa asnjë kufizim detyrues mbi arsenalet strategjike bërthamore" të të dy vendeve, tha Guteresh.

E kreu i Kishës Katolike, Leo i Katërmbëdhjetë bëri thirrje për përtëritjen e Traktatit, për parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore, për shmangien e një gare të re armatimesh, e cila do të kërcënonte më tej paqen midis kombeve. Papa Leo në vend të kësaj i inkurajoi të dy kombet të bënin të gjitha përpjekjet në favor të çarmatimit dhe besimit të ndërsjellë dhe të zëvendësonin logjikën e frikës dhe mosbesimit me një etikë të përbashkët të fokusuar në të mirën e përbashkët dhe paqen.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota