Irani, SHBA-së: Në rast sulmi, do të godasim bazat amerikane në rajon
Sh.Çoçaj/RTKlive
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi se Irani do të sulmojë bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse SHBA sulmon territorin iranian. “Nëse sulmohemi, do të godasim bazat amerikane në rajon”, tha ai gjatë një interviste për rrjetin Al Jazeera.
Ndërkohë, të premten në Oman u zhvilluan negociata indirekte mes Teheranit dhe Uashingtonit, ku palët ranë dakord që bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti.
Araghchi u shpreh se Irani është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje, por shtoi se çështjet e programit raketor dhe pasurimit të uraniumit janë të panegociueshme.
“As tani e as në të ardhmen nuk mund të ketë negociata mbi raketat, sepse kjo është çështje mbrojtjeje”, theksoi ai, duke kritikuar gjithashtu atë që e quajti doktrinë dominimi që lejon Izraelin të zgjasë arsenalin e tij ushtarak, ndërsa ushtron presion mbi vendet e tjera të rajonit që të çarmatosen.
Komentet e Araghchit vijnë një ditë pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Omani, takimi i parë që nga sulmet amerikane të qershorit të kaluar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se diskutimet ishin “shumë të mira” dhe se palët do të takohen sërish javën tjetër, ndërsa Araghchi i quajti ato një “fillim të mirë”.
Megjithatë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon tarifa dytësore prej 25% për vendet që importojnë mallra nga Irani, duke treguar se presioni ekonomik ndaj Teheranit vazhdon.























