Moska pretendon se i dyshuari për atentatin ndaj Alexeyev është arrestuar
Dardan Ramabaja /RTK
Autoritetet ruse kanë thënë se është arrestuar në Dubai personi i dyshuar për sulmin ndaj gjeneralit të lartë. Shërbimi Federal i Sigurisë njoftoi se personi i dyshuar i është dorëzuar Rusisë.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) i Rusisë tha të dielën se personi i dyshuar që kreu atentatin ndaj ndaj oficerit të lartë të inteligjencës ushtarake ruse Vladimir Alexeyev në Moskë është ndaluar në Dubai dhe i është dorëzuar Rusisë.
Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev, zëvendësdrejtor i GRU-së, krahut të inteligjencës ushtarake të Rusisë, u qëllua disa herë në një bllok apartamentesh në Moskë të premten, thanë hetuesit. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas të shtënave, thanë mediat ruse. FSB tha se një shtetas rus me emrin Lyubomir Korba u ndalua në Dubai me dyshimin për kryerjen e të shtënave.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën se qëndron pas atentatit, i cili sipas tij ishte projektuar për të sabotuar bisedimet e paqes. Ukraina tha se kjo nuk kishte të bënte fare me të shtënat. Shefi i Alexeyev, Admirali Igor Kostyukov, kreu i GRU-së, ka udhëhequr delegacionin e Rusisë në negociatat me Ukrainën në Abu Dhabi mbi aspektet e sigurisë të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Disa figura të larta ushtarake ruse janë vrarë nga pajisje shpërthyese ose janë qëlluar për vdekje në Moskë në sulme për të cilat fajësohen shërbimet e sigurisë ukrainase që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në vitin 2022.























