9 të vrarë në Tumbler Rid, kryeministri kanadez: Kanadaja mban zi me ju
BKT
Rajoni dhe Bota

9 të vrarë në Tumbler Rid, kryeministri kanadez: Kanadaja mban zi me ju

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, vizitoi banorët e Tumbler Ridge në British Columbia dhe shprehu ngushëllimet e tij, duke theksuar se e gjithë Kanadaja ndan dhimbjen e komunitetit, pasi nëntë persona u vranë në të shtëna në një shkollë të mesme dhe në një banesë.

Sipas policisë, gjashtë viktima u gjetën të vdekura brenda shkollës Tumbler Ridge Secondary School, një tjetër vdiq gjatë rrugës për në spital, ndërsa dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në një banesë aty pranë. Të paktën 25 persona janë plagosur.

Policia tha se i dyshuari u gjet i vdekur në shkollë. Autoritetet konfirmuan se e dinë identitetin e tij, por nuk kanë publikuar emrin dhe gjininë. Më herët, një alarm emergjent e përshkruante të dyshuarin si “femër me fustan dhe flokë kafe”.

Nxënësit dhe mësimdhënësit u detyruan të barrikadoheshin në klasa për orë të tëra, ndërsa prindërit prisnin lajme për fëmijët e tyre.

Kryetari i komunës së Tumbler Ridge, Darryl Krakowka, tha se prioritet kryesor është mbështetja për komunitetin, duke shtuar se qyteti është “një familje e madhe”. Ai njoftoi se punëtorë shëndetësorë dhe këshilltarë të shëndetit mendor po vijnë nga komunitete të tjera për të ndihmuar.

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe falënderoi policinë dhe ekipet e emergjencës për reagimin e tyre.

Liderët politikë kanadezë, përfshirë kreun e opozitës Pierre Poilievre, kanë bërë thirrje për unitet kombëtar. Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur edhe nga liderë botërorë, përfshirë Mbretin Charles III, si dhe drejtues nga Britania, Franca, Gjermania dhe Ukraina.

Pas tragjedisë, kryeministri Mark Carney pezulloi agjendën e tij dhe anuloi një udhëtim të planifikuar në Gjermani, duke shprehur ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota