Merz: Rendin global po e shkatërron politika e fuqive të mëdha
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar në Konferencën e Sigurisë në Mynih se rendi botëror siç ka ekzistuar për dekada “nuk ekziston më” dhe se liria nuk është më e garantuar. Ai tha se politika e fuqive të mëdha i vendos edhe kombet më të forta në rrezik dhe kërkon që Evropa të rishikojë strategjitë e sigurisë dhe mbrojtjes.
Merz theksoi se “momentumi unipolar” pas rënies së Murit të Berlinit ka përfunduar dhe rendi i ri global bazohet në konkurrencën e fuqive të mëdha, e cila është e shpejtë, e ashpër dhe shpesh e paparashikueshme. Ai paralajmëroi se marrëdhëniet transatlantike mes SHBA-ve dhe Evropës janë të vështira dhe shtoi se Evropa do të vazhdojë të mbrojë vlerat dhe interesat e saj, duke respektuar marrëveshjet klimatike dhe institucionet multilaterale.
Kancelari gjerman gjithashtu vuri theksin te mbështetja për Ukrainën përballë pushtimit rus, duke thënë se “Rusia duhet të heqë dorë nga kjo luftë e tmerrshme kundër Ukrainës dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që t’i çojmë ata në pikën ku nuk shohin përfitime të mëtejshme për ta vazhduar luftën.”
Merz kritikoi vizitat individuale të udhëheqësve evropianë në Moskë pa mandat dhe paralajmëroi se Rusia nuk është ende e gatshme të negociojë në mënyrë serioze për t’i dhënë fund agresionit ndaj Ukrainës. Ai theksoi se Evropa ka luajtur një rol udhëheqës në imponimin e kostove ndaj Moskës dhe se paqja do të arrihet vetëm kur Rusia të jetë e lodhur ekonomikisht dhe ushtarakisht. / Burimi: Euro News























