SHBA dhe Teherani shkëmbejnë kërcënime, rritet tensioni
Luan Qorraj /RTK
Mes tensioneve gjithnjë e më të larta mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Teheranin që të arrijë një marrëveshje brenda një afati të caktuar, përndryshe do të përballet me pasoja serioze.
Trump ka deklaruar se Irani ka "10 deri në 15 ditë" për të arritur marrëveshjen lidhur me programin e tij bërthamor, duke paralajmëruar se, në rast të dështimit, "do të ndodhin gjëra shumë të këqija". Ai po ashtu po monitoron lëvizjen e aseteve ushtarake amerikane në afërsi të Iranit.
Nga ana e tij, Teherani ka paralajmëruar se në rast sulmesh nga SHBA, do të sulmojë "të gjitha bazat, asetet dhe interesat amerikane në rajon", duke deklaruar se përgjegjësia për çdo zhvillim do të bie mbi Shtetet e Bashkuara.
Washingtoni kërkon që Irani të ndalojë programin e armatimit bërthamor, pasurimin e uraniumit dhe të pranojë kufizime në programin raketor. Irani ka shprehur gatishmëri për të ndaluar programin e armatimit bërthamor, por refuzon të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe të pranojë kufizime në programin raketor.























