Putin i jep FSB-së kontroll për të ndërprerë internetin në Rusi
Valbona Thaçi / RTKLive
Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj të ri që u jep shërbimeve të inteligjencës së Rusisë, në veçanti Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), fuqi të gjera për të ndaluar aksesin në internet dhe shërbime të komunikimit për individë apo zona të tëra brenda vendit pa nevojë për miratim gjyqësor. Ligji hyri në fuqi më 20 shkurt 2026, pas miratimit të tij nga Duma e Shtetit javën e kaluar.
Sipas dispozitave të reja, FSB mund t’i kërkojë operatorëve të telekomunikacionit si për internetin mobil, ashtu edhe për lidhjet fikse që të ndërpresin ose kufizojnë aksesin në bazë të rregullave të përcaktuara nga presidenti. Ofruesit e shërbimeve nuk do të mbajnë përgjegjësi ligjore për ndërprerjet që bëhen në përputhje me këtë kërkesë të shërbimeve të sigurisë,raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas raportimeve Qeveria ruse thotë se masa synon luftimin e kërcënimeve të sigurisë përfshirë pretendimet se forcat ukrainase dhe dronët e tyre përdorin internetin mobil për navigim si dhe për kontrollin e informacionit në kohë lufte. Megjithatë, kritikët brenda dhe jashtë Rusisë paralajmërojnë se ky legjislacion mund të përdoret për të shtypur lirinë e shprehjes, për të zgjatur censurën dhe për të izoluar qytetarët nga informacionet e pavarura.
Ligji vlen edhe për territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën e okupuar, gjë që zgjeron kontrollin e Kremlinit mbi komunikimet dixhitale edhe jashtë kufijve të saj zyrtarë.























