Irani dhe SHBA me raundin e tretë të bisedimeve për çështjen bërthamore
RTK
Irani dhe SHBA-ja pritet të mbajnë të enjten në Gjenevë raundin e tretë të bisedimeve për çështjen bërthamore.
Kështu njoftoi të dielën ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, në një kohë kur po shtohen shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak mes dy shteteve rivale.
Shtetet e Bashkuara kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëroi të enjten se “gjëra shumë të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë lidhur me programin bërthamor të Teheranit, raportoi Reuters.
“Kam kënaqësinë të konfirmoj se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit do të zhvillohen këtë të enjte në Gjenevë, me një frymë pozitive për të bërë përparim të mëtejshëm drejt finalizimit të një marrëveshjeje”, deklaroi kryediplomati i Omanit, i cili luan rolin e ndërmjetësit në bisedimet indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit.























