Rusia godet infrastrukturën energjetike të Ukrainës me raketa dhe dronë
Flutura Bekqeli / RTK
Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Ukrainë, duke përdorur dhjetëra dronë dhe raketa balistike, të përqendruara kryesisht në infrastrukturën energjetike. Sipas autoriteteve ushtarake dhe lokale ukrainase, si pasojë e këtyre sulmeve është vrarë të paktën një person.
Sulmet gjatë natës kanë goditur kryeqytetin Kiev dhe rajonin përreth tij, portin e Odesa në Detin e Zi, si dhe pjesë të Ukrainës qendrore. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka bërë të ditur në rrjetin X se në shënjestër kanë qenë edhe rajonet Dnipro, Kirovohrad, Mykolaiv, Poltava dhe Sumy.
Sipas tij, objektivi kryesor i sulmeve ishte sektori i energjisë, por janë dëmtuar edhe ndërtesa banimi dhe linja hekurudhore.
“Moska vazhdon të investojë më shumë në sulme sesa në diplomaci”, ka deklaruar Zelenskiy, duke shtuar se vetëm gjatë kësaj jave Rusi ka lëshuar mbi 1.300 dronë, më shumë se 1.400 bomba ajrore të drejtuara dhe 96 raketa kundër Ukrainës.
Nga pala ruse nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm lidhur me këto sulme.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por përparimi ka ngecur. Moska kërkon që Kievi të tërhiqet nga pjesë të rajonit lindor të Donbasit që ende i kontrollon, një kërkesë kjo e refuzuar nga autoritetet ukrainase. Raundi i fundit i bisedimeve, i mbajtur në Gjenevë më 17 dhe 18 shkurt, nuk solli ndonjë rezultat konkret.
Forca Ajrore e Ukrainës njoftoi se Rusia kishte lëshuar 50 raketa dhe 297 dronë gjatë sulmeve të natës, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë ose neutralizojë 33 raketa dhe 274 dronë.
“Ky terror nuk mund të normalizohet,” ka shkruar në X ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Kremlinit.
Rusia sulmon pothuajse çdo ditë sistemin energjetik të Ukrainës, duke goditur termocentrale, nënstacione elektrike, rrjetin e transmetimit të energjisë dhe sektorin e gazit, elementë kyç të pushtimit rus.
Moska mohon se ka në shënjestër civilët, por pretendon se infrastruktura civile përbën objektiv legjitim, pasi goditja e saj, sipas saj, dobëson aftësinë e Kievit për të zhvilluar luftë. Ukraina, nga ana tjetër, thotë se qëllimi i këtyre sulmeve është dëmtimi i civilëve dhe thyerja e vullnetit të popullit.























