Zelensky i kërkon Trumpit të qëndrojë në anën e Ukrainës
Sh.Çoçaj/RTKlive
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Donald Trump që të qëndrojë në anën e Ukrainës, ndërsa vendi shënon katërvjetorin e nisjes së pushtimit të plotë nga Rusia.
Duke folur për CNN nga Kievi, Zelensky është shprehur se beson që lideri amerikan dhe ekipi i tij “e duan fundin e luftës”.
I pyetur se çfarë do të dëshironte të dëgjonte nga adresimi i Trumpit të martën, ai është përgjigjur shkurt: “Dua që ai të qëndrojë në anën tonë”.
Zelensky ka theksuar gjithashtu se ekziston komunikim i mirë me palën amerikane në kuadër të negociatave me Rusinë.
E në Telegram Zelensky ka shkruar se Vladimir Putin ka dështuar ta mposhtë Ukrainën, katër vjet pasi nisi pushtimin e plotë.
Ai kujtoi se sot shënohen katër vjet nga momenti kur Moska synonte ta merrte Kievin brenda tri ditësh, duke theksuar se kjo periudhë dëshmon forcën dhe qëndrueshmërinë e rezistencës ukrainase.
Sipas tij, pas këtyre fjalëve qëndrojnë miliona qytetarë, guximi dhe puna e pandërprerë, si dhe rrugëtimi i gjatë që vendi ka bërë që nga 24 shkurti 2022.
Zelensky theksoi se Ukraina e ka mbrojtur pavarësinë dhe shtetësinë e saj, duke shtuar se Putini nuk i ka arritur objektivat dhe nuk ka arritur t’i thyejë ukrainasit apo ta fitojë luftën.























