PSG me mungesa të shumta, Enrique: Lojtarët nuk janë makina
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Paris Saint-Germain do të udhëtojë të shtunën për ndeshjen e Ligue 1 ndaj Le Havre, por trajneri Luis Enrique do të duhet të bëjë pa disa titullarë për shkak të problemeve fizike të skuadrës.
Klubi ka konfirmuar se sulmuesi Ousmane Dembele nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një lëndimi dhe po trajnohet individualisht, ndërsa edhe mesfushorët Senny Mayulu, Joao Neves dhe Fabian Ruiz do të mungojnë për shkak të lëndimeve të tyre të ndryshme. Quentin Ndjantou gjithashtu është jashtë për takimin e kësaj fundjavë.
Në konferencë për media, Luis Enrique u shpreh se dëshiron të ketë sa më shumë lojtarë gati, por e kupton se sezoni i ngjeshur dhe mungesa e pushimeve të gjata kanë rënduar trupat e futbollistëve.
“Ata nuk janë makina”, theksoi ai, duke shtuar se klubi do të përpiqet të përballojë situatën me profesionalizëm dhe optimizëm.
PSG vijon të jetë në garë për titull dhe është ende lider në Ligue 1, por mungesat e shumta para një sfide të vështirë jashtë fushë janë një shqetësim për trajnerin dhe tifozët.























