Pedri beson se Barcelona mund ta përmbys Atletico Madridin
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Mesfushori i Barcelonës, Pedri, beson se skuadra e tij mund ta përmbys Atletico Madrid, pavarësisht humbjes së thellë 4-0 në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit.
Pedri pritet të startojë në ndeshjen e kthimit pas një muaji mungesë dhe do të jetë një element kyç për të dhënë cilësi dhe qartësi në mesfushë.
“Jam mirë. Kam luajtur më shumë se 30 minuta në dy ndeshje dhe më ka ndihmuar për të rikuperuar ritmin. Tani dua të luaj edhe më shumë”, ka thënë Pedri në një intervistë për ‘TV3’, raporton RTKLive.
Ai analizoi gjithashtu fitore e fundit kundër Villarreal, duke theksuar përparimin e skuadrës.
“Kontrolluam kundërshtarin që nga fillimi. Me topin ishim të organizuar dhe në presion bëmë një hap përpara krahasuar me ndeshjet e tjera”, theksoi Pedri.
Ai nuk humbi optimizmin për sfidën ndaj Atletico-s, duke kujtuar rikthimin historik të Barcelonës.
“Ishte pjesa më e keqe e parë e sezonit, me dhe pa top. Nuk bëmë asgjë nga ajo që dimë të bëjmë. Por futbolli gjithmonë jep një mundësi për t’u rikthyer. Një vit më parë shënuam katër gola në 70 minuta; nëse ka një skuadër që mund ta bëjë sërish, ajo është Barcelona”, pohoi Pedri.























