Mbyllet ambasada amerikane në Beirut pas sulmeve izraelite në Liban
Valbona Thaçi / RTKLive
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beirut është mbyllur “deri në njoftim të mëtejshëm”, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen. Të gjitha takimet konsullore, përfshirë ato emergjente, janë anuluar, raporton Reuters.
Sipas raportimit të Reuters mbyllja e ambasadës vjen pas sulmeve izraelite në Beirut dhe pjesë të Libanit jugor, si përgjigje ndaj veprimeve të grupit militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani. Vendimi pason edhe mbylljen e përkohshme të ambasadave amerikane në Kuwait, Riyadh dhe masat emergjente në Muscat, ndërsa personeli amerikan është tërhequr për sigurinë e tij.
Shqetësimet janë të lidhura me rritjen e dhunës dhe sulmet ajrore, që rrezikojnë stafin diplomatik dhe civilët. Ambasada premton të japë informacione të mëtejshme kur situata të stabilizohet.























