Indonezia pezullon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes pas sulmit ndaj Iranit
BKT
Foto: Anadolu Agency
Rajoni dhe Bota

Indonezia pezullon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes pas sulmit ndaj Iranit

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Indonezia ka njoftuar pezullimin e të gjitha diskutimeve për “Board of Peace”, një iniciativë e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme po rriten.

Ministri i Jashtëm i Indonezisë, Sugiono, tha se vendimi për pezullimin e pjesëmarrjes u mor për shkak të përshkallëzimit të fundit ushtarak në rajon, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në prioritetet e politikës së jashtme të vendeve të përfshira në këtë iniciativë, raporton Middle East Monitor.

Ai theksoi se vëmendja ndërkombëtare tashmë është përqendruar te pasojat e konfliktit me Iranin. Sipas tij, Indonezia do të zhvillojë konsultime intensive me partnerët në rajonin e Gjirit, pasi ata janë të prekur drejtpërdrejt nga sulmet e vazhdueshme dhe rritja e tensioneve.

Pjesëmarrja e Indonezisë në këtë këshill është kritikuar edhe nga grupe politike dhe fetare brenda vendit, të cilat argumentojnë se bashkimi në një iniciativë të udhëhequr nga administrata e Trump mund të minojë qëndrimin e kahershëm të Xhakartës në mbështetje të çështjes palestineze.

Në të njëjtin kontekst, Këshilli i Ulemave të Indonezisë ka bërë thirrje për tërheqje të menjëhershme nga kjo iniciativë, duke theksuar se ajo nuk ka efektivitet përderisa ofensiva ushtarake vazhdon.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota