Trump: Starmer përpiqet të bashkohet në luftë pas fitores së SHBA-së
Valbona Thaçi / RTKLive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar kryeministrin britanik Keir Starmer duke thënë se Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të “bashkohet në luftë pasi ne tashmë e kemi fituar”.
Komentet e Trump erdhën pasi Londra po shqyrton mundësinë e dërgimit të aeroplanmbajtëseve dhe forcave të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme, në kuadër të tensioneve dhe konfliktit me Iran, raporton BBC.
Në një postim në rrjetin e tij social, Trump tha se SHBA-ja nuk ka më nevojë për ndihmën britanike. Ai deklaroi se: “Nuk kemi nevojë për njerëz që bashkohen në luftëra pasi i kemi fituar tashmë”, duke shtuar se megjithatë do ta kujtojnë vonesën e Britanisë në mbështetje.
Kritikat e presidentit amerikan lidhen edhe me vendimin fillestar të qeverisë britanike për të mos marrë pjesë në sulmet e para ndaj Iranit dhe për të lejuar vetëm përdorim të kufizuar të bazave ushtarake britanike nga forcat amerikane për qëllime mbrojtëse.
Nga ana tjetër, qeveria britanike ka theksuar se po ndjek një qasje të kujdesshme dhe të balancuar ndaj krizës në Lindjen e Mesme, duke vlerësuar situatën përpara çdo vendimi për përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Ministria britanike e Mbrojtjes ka konfirmuar se një aeroplanmbajtëse është vendosur në gatishmëri të lartë, ndërsa disa baza në Mbretërinë e Bashkuar po përdoren nga forcat amerikane për operacione mbrojtëse në rajon.























