SHBA dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ndaj Iranit
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ndaj Iranit

Luan Qorraj /RTK

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po vazhdojnë sulmet në të gjitha provincat e Iranit, ndërkohë që dy persona raportohet se janë vrarë si pasojë e sulmeve iraniane ndaj Arabisë Saudite. Teherani njofton se ka zgjedhur udhëheqësin e ri suprem, por identiteti i tij ende nuk është bërë publik.

Forcat amerikane dhe izraelite fillimisht u përqendruan në caqe ushtarake, por tani Tel Avivi ka njoftuar se ka nisur të shënjestruar edhe infrastrukturën kritike të energjisë, duke goditur rafineri dhe caqe të tjera të rëndësishme.

Pas goditjeve të sotme në rafineritë e Teheranit, Izraeli ka thënë se do të vazhdojë sulmet ndaj caqeve energjetike, veçanërisht atyre që lidhen me industrinë e naftës, një nga burimet kryesore të të ardhurave të regjimit iranian.

Njëkohësisht, komanda qendrore e forcave amerikane ka këshilluar qytetarët iranian që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, duke akuzuar Teheranin se po vendos qëllimisht lansues raketash balistike dhe dronësh në lagjet civile, gjë që mund t’i shndërrojë këto zona në caqe legjitime ushtarake sipas ligjit ndërkombëtar.

Komanda amerikane ka identifikuar lokacione të sakta në qytetet Dezful, Esfahan dhe Shiraz nga të cilat Irani ka lansuar sulme drejt vendeve të rajonit dhe ka përsëritur se është vet qeveria iraniane që rrezikon civilët e saj.

Nga vendet e rajonit vijojnë raportime për sulme iraniane. Arabia Saudite ka njoftuar për dy civilë të vrarë si pasojë e këtyre sulmeve, ndërkohë që raportohet për sulme të tjera drejt Emirateve të Bashkuara, Kuvajtit dhe shteteve të tjera. Megjithatë, mbrojtjet ajrore kanë arritur të ndalojnë mbi 90% të sulmeve iraniane, dhe numri i përgjithshëm i raketave dhe dronëve të lëshuar drejt vendeve të rajonit është zvogëluar dukshëm, duke sinjalizuar një reduktim të aftësive sulmuese të Iranit.

Ndërkohë, Teherani zyrtar njofton se Këshilli i Klerikëve ka arritur konsensus për udhëheqësin e ri suprem të Iranit dhe se ai është zgjedhur, por identiteti i tij ende nuk është bërë publik.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota