Rritja e çmimit të naftës, G7 paralajmëron masa për furnizim me energji
BKT
Rajoni dhe Bota

Rritja e çmimit të naftës, G7 paralajmëron masa për furnizim me energji

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Grupi i Shtatë vendet më të industrializuara paralajmëroi sot se mund të ndërmarrë masa për të siguruar furnizimin me energji, pas rritjes së çmimeve të naftës që po ndikojnë në tregjet globale.

Shtetet e G7 paralajmëruan se janë të gatshme të marrin “masa të nevojshme” për të mbrojtur furnizimin global të energjisë, pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që çuan çmimet e naftës në rritje, shkruan BBC.

Takimi virtual i ministrave të financave të G7 dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë përfundoi pa vendim për lirimin e rezervave strategjike të naftës, megjithatë blloku theksoi gatishmërinë për të ndërhyrë në treg. Çmimi i naftës Brent arriti mbi 119 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e gazit në Mbretërinë e Bashkuar u rritën pothuajse 25%.

Fatih Birol, drejtori i IEA-s, paralajmëroi se ndërprerja e prodhimit dhe trafiku i bllokuar në ngushticën e Hormuzit rrezikojnë stabilitetin e tregut global të energjisë. Rritja e çmimeve mund të ndikojë edhe në inflacion dhe politikën monetare të bankave qendrore.

Kancelarja britanike Rachel Reeves kërkoi “de-eskalim të menjëhershëm” në Lindjen e Mesme dhe garantoi siguri për transportin detar. Ndërkohë, tregjet globale të aksioneve shënuan rënie për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e energjisë në ekonominë botërore.

Ekspertët paralajmërojnë se çmimet e naftës mund të arrijnë 120–150 dollarë për fuçi nëse konflikti vazhdon, duke ndikuar direkt tek konsumatorët dhe bizneset globalisht.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota