Luis Enrique i bindur që PSG e rikthen formën e vitit të kaluar
BKT
Sport

Luis Enrique i bindur që PSG e rikthen formën e vitit të kaluar

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, është shprehur i bindur se skuadra e tij mund të rikthejë formën e sezonit të kaluar në Champions League, para përballjes me Chelsea në fazën e 1/8 së finales.

PSG do ta presë Chelsea të mërkurën në stadiumin "Parc des Princes" në ndeshjen e parë të këtij raundi. Kjo do të jetë përballja e parë mes dy skuadrave që nga finalja e Kupës së Botës për Klube verën e kaluar, kur skuadra londineze fitoi 3:0.

Luis Enrique ka thënë se skuadra e tij nuk ka dyshime se mund të rrisë nivelin e lojës në këtë fazë të rëndësishme të sezonit.

“Ne nuk kemi asnjë dyshim. Po hyjmë në pjesën më të rëndësishme të sezonit dhe duhet të jemi gati për sfidat më të mëdha”, ka deklaruar trajneri spanjoll.

Megjithatë, forma e PSG-së këtë sezon nuk ka qenë e qëndrueshme. Fundjavën e kaluar parisienët kanë humbur 3:1 në shtëpi ndaj Monaco, duke mbetur vetëm një pikë përpara Lens në krye të tabelës së Ligue 1.

Gjithashtu PSG ka pasur vështirësi edhe në fazën e ligës në Champions League, ku e përfundoi vetëm në vendin e njëmbëdhjetë dhe më pas kaloi me vështirësi Monaco në "play-off".

Megjithatë, Luis Enrique shpreson se ndeshja ndaj Chelsea do ta motivojë ekipin e tij, ashtu si sezonin e kaluar kur PSG eliminoi tri skuadra angleze për të arritur deri te titulli i parë në historinë e klubit në Champions League.