Bayern dhe Atletico me një këmbë në çerekfinale, Barcelona barazon
Uran Krasniqi / RTKLive
Bayern Munich dhe Atletico Madrid kanë bërë hapa të mëdhenj drejt çerekfinales së Champions League, pasi kanë fituar bindshëm në ndeshjet e para të fazës së 1/8-së. Ndërkohë, Barcelona ka arritur vetëm një barazim në fushën e Newcastle dhe gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit.
Bayern Munich ka bërë një paraqitje fantastike në Itali, duke e mposhtur Atalanta me rezultat të thellë 6-1 në Bergamo.
Skuadra gjermane e ka nisur furishëm ndeshjen dhe ka kaluar në epërsi kur Josip Stanisic ka shënuar pas një aksioni të përgatitur nga Serge Gnabry. Pak më vonë, Michael Olise e ka dyfishuar epërsinë me një goditje të bukur nga distanca.
Goli i tretë ka ardhur sërish nga Gnabry, pas një asistimi të Olise, duke e çuar rezultatin në 3-0 që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë bavarezët nuk janë ndalur: Nicolas Jackson ka shënuar për 4-0, Olise ka realizuar golin e pestë, ndërsa Jamal Musiala e ka vulosur fitoren me golin e gjashtë.
Atalanta ka arritur vetëm një gol në fund përmes Mario Pasalic. Me këtë rezultat, Bayern pothuajse e ka siguruar kalimin në çerekfinale.
Edhe Atletico Madrid është shumë pranë çerekfinales pasi ka mposhtur Tottenham Hotspur me rezultat 5-2 në Madrid.
Vendasit kanë përfituar nga gabimet e mëdha në mbrojtjen e anglezëve dhe kanë shënuar tri herë shumë shpejt përmes Marcos Llorente, Antoine Griezmann dhe Julian Alvarez.
Më vonë kanë shënuar edhe Robin Le Normand dhe sërish Alvarez. Tottenham ka arritur të shënojë dy herë përmes Pedro Porro dhe Dominic Solanke, por diferenca prej tri golave e vendos Atletico në një pozitë shumë të favorshme para ndeshjes së kthimit në Londër.
Në ndeshjen tjetër, Barcelona ka barazuar 1-1 në transfertë ndaj Newcastle United.
Anglezët kanë kaluar në epërsi në minutat e fundit kur Harvey Barnes ka shënuar pas një aksioni të Jacob Murphy.
Megjithatë, drama ka ardhur në kohën shtesë. Pas një penalltie të fituar nga Dani Olmo, talenti i ri Lamine Yamal ka realizuar nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 1-1.























