Merkel e Zelensky vlerësohen nga Parlamenti me Urdhërin Evropian të Meritës
BKT
Foto arkiv: Federal Government of Germany
Rajoni dhe Bota

Merkel e Zelensky vlerësohen nga Parlamenti me Urdhërin Evropian të Meritës

Medina Pasoma / RTKlive

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe ish-presidenti polak, Lech Wałęsa kanë marrë të martën çmimin më të lartë të Urdhërit Evropian të Meritës, një vlerësim i ri i Parlamentit Evropian për kontributin në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të Bashkimit Evropian.

Ky çmim është ndarë për herë të parë këtë vit nga parlamenti dhe përfshin tri nivele: Anëtar i Urdhrit, Anëtar i Nderuar i Urdhrit dhe Anëtar i Dalluar i Urdhrit, niveli më i lartë i vlerësimit.

Në nivelin e dytë të çmimit janë nderuar presidentja e Moldavisë Maia Sandu, sekretari i shtetit i Vatikanit Pietro Parolin dhe ish-presidenti i Finlandës Sauli Niinistö.

Ndërsa në kategorinë “Anëtar i Urdhrit” janë përfshirë ylli grek i basketbollit Giannis Antetokounmpo, shefi i kuzhinës dhe humanitari José Andrés, themelues i organizatës World Central Kitchen, si dhe anëtarët e grupit irlandez të rokut U2.

Këngëtari i grupit, Bono, është i njohur për aktivizmin e tij kundër varfërisë dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Bashkimit Evropian.

Megjithatë, vendimi për ta nderuar Merkelin u shoqërua me reagime në sallën e Parlamentit. Kur presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola përmendi emrin e saj gjatë ceremonisë, nga disa deputetë u dëgjuan fishkëllima.

Eurodeputeti Martin Schirdewan, bashkëkryetar i grupit “The Left” në Parlamentin Evropian, kritikoi vendimin duke thënë se “shpërblimi i politikave që sollën shkurtime sociale dhe thelluan pabarazitë nuk është zgjedhja më e mirë për një çmim”.

Fituesit e çmimit pritet të marrin distinktivin, shiritin dhe certifikatën e nënshkruar nga Metsola në një ceremoni zyrtare që do të mbahet në muajin maj.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota