Izraeli përforcon kufirin me Libanin, Irani pretendon valë të re sulmesh
Sh.Çoçaj/RTKlive
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa situata po përfshin gjithnjë e më shumë aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Ushtria izraelite ka njoftuar përforcimin e forcave në kufirin verior me Libanin, ndërsa Irani pretendon se ka kryer një valë të re sulmesh me raketa ndaj objektivave izraelite dhe bazave ushtarake amerikane në rajon.
Zhvillimet e fundit vijnë në një moment kur luftimet janë intensifikuar dhe ekziston frika se konflikti mund të zgjerohet në një luftë më të gjerë rajonale.
Izraeli dërgon përforcime në kufirin verior
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftoi se shefi i shtabit, gjeneral major Eyal Zamir, zhvilloi një vlerësim të situatës së sigurisë pas zhvillimeve të fundit në operacionin ushtarak të quajtur “Luani që Rënkon”.
Pas analizës së situatës, ushtria izraelite vendosi të përforcojë më tej zonën e Komandës Veriore dhe të zhvendosë Ekipin Luftarak të Brigadës Golani nga Komanda Jugore drejt veriut të vendit.
Sipas deklaratës së ushtrisë, kjo lëvizje synon të rrisë gatishmërinë përballë kërcënimeve të mundshme nga Hezbollahu, organizata e armatosur libaneze e mbështetur nga Irani.
“IDF do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri kundër organizatës terroriste Hezbollah, e cila ka vendosur të bashkohet me fushatën dhe të veprojë nën kujdesin e regjimit iranian. Ne nuk do të lejojmë që qytetarët e Shtetit të Izraelit të rrezikohen”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet ushtarake izraelite paralajmëruan gjithashtu se, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme në terren, mund të dërgohen edhe forca të tjera shtesë në kufirin me Libanin, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Irani pretendon valën e 37-të të sulmeve
Ndërkohë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi se ka kryer valën e 37-të të sulmeve raketore si pjesë e operacionit të quajtur “Premtimi i Vërtetë 4”.
Sipas deklaratës së IRGC-së, në këtë valë janë përdorur raketa të rënda me koka luftarake që peshojnë rreth dy ton dhe që kishin në shënjestër objektiva izraelite dhe baza ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Burime iraniane pretendojnë se dy raketa kanë goditur bazën amerikane Arifjan në Kuvajt, ndërsa shpërthime janë raportuar edhe në Doha të Katarit.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga burime ndërkombëtare.
Gjatë natës janë raportuar gjithashtu sirena alarmi dhe shpërthime në disa zona të Izraelit, në një nga valët më intensive të sulmeve të ditëve të fundit.
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se konflikti do të vazhdojë derisa, sipas tyre, “hija e luftës të largohet nga rajoni”.
Udhëheqësi i ri iranian thuhet se është mirë
Në mes të raportimeve për tensione të larta, u përhapën edhe informacione për gjendjen shëndetësore të udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.
Sipas një deklarate të publikuar në Telegram nga këshilltari qeveritar Yousef Pezeshkijan, Khamenei është në gjendje të mirë pavarësisht se kishte pësuar plagë.
“Kam marrë informacione se Mojtaba Khamenei ishte plagosur. Pas disa pyetjeve, më thanë se falë Zotit ai është gjallë dhe në gjendje të mirë” ka shkruar ai.
Sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit
Situata e tensionuar është reflektuar edhe në det. Agjencia Britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare (UKMTO) raportoi se një anije mallrash u evakuua pasi u godit nga një raketë e panjohur në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Incidenti u raportua se ka ndodhur rreth 11 milje detare në veri të Omanit.
Sipas raportit, raketa shkaktoi zjarr në bord, ndërsa ekuipazhi u detyrua të evakuonte anijen.
Më herët, UKMTO kishte raportuar edhe një incident tjetër ku një anije kontejnerësh u godit nga një raketë në një vendndodhje tjetër të së njëjtës ngushticë.
Ngushtica e Hormuzit është një korridor strategjik për tregtinë globale, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit të lëngshëm të transportuar në botë.
Izraeli kryen sulme në Bejrut
Ndërkohë, sulmet ajrore izraelite goditën një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit, sipas mediave libaneze. Ky është sulmi i dytë në kryeqytetin libanez brenda pak ditësh.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende zyrtarisht për këtë sulm dhe nuk ka raportime të konfirmuara për viktima.
Libani është përfshirë më thellë në konflikt pasi Hezbollahu, grupi i armatosur i mbështetur nga Irani, hapi zjarr ndaj Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit.
Që atëherë, Izraeli ka kryer sulme ajrore në shumë zona të Libanit jugor dhe lindor, si dhe në periferitë jugore të Bejrutit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, nga këto sulme janë vrarë rreth 500 persona, mes tyre më shumë se 80 fëmijë, shkruajnë mediat e huaja.
SHBA godet flotën iraniane
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka publikuar pamje që tregojnë shkatërrimin e disa anijeve ushtarake iraniane gjatë sulmeve të fundit amerikane.
Sipas CENTCOM, 16 anije minapastruese iraniane u shkatërruan pranë Ngushticës së Hormuzit.
Kryetari i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, deklaroi se shkatërrimi i kapaciteteve detare të Iranit është një nga tre objektivat kryesore të operacionit ushtarak të quajtur “Epic Fury”.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se çdo përpjekje e Iranit për të minuar Ngushticën e Hormuzit do të përballej me një reagim të ashpër ushtarak.























