Si po trondit bizneset globale lufta SHBA-Izrael ndaj Iranit
BKT
Rajoni dhe Bota

Si po trondit bizneset globale lufta SHBA-Izrael ndaj Iranit

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Lufta e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit po shkakton tronditje në bizneset në mbarë botën, duke rritur çmimet e energjisë, duke ngushtuar furnizimet me lëndë të para kritike dhe duke vënë në dyshim besueshmërinë e rrugëve kryesore tregtare, nga ushqimi te pjesët e makinave.

Kaosi në udhëtime
Konflikti ka shkaktuar anulime masive fluturimesh, ndryshime itinerari dhe ndërprerje skedash, duke mbyllur pjesërisht hapësirën ajrore të Lindjes së Mesme, përfshirë Katarin, për shkak të kërcënimeve nga raketat dhe dronët.

Kjo situatë ka krijuar krizën më të madhe në aviacion që nga pandemia, duke paralizuar Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, nyjën më të ngarkuar për pasagjerët globalë, dhe duke vënë presion mbi qendrat e tjera rajonale të rëndësishme për fluturime të gjata.

Për disa udhëtarë, avionët privatë janë bërë alternativa për të lëvizur jashtë Gjirit, ndërsa të tjerët udhëtojnë me makinë drejt Riadit të Arabisë Saudite për të fluturuar drejt shtëpisë. Konflikti ka ndikuar gjithashtu në korridore kyçe për eksportin e naftës, duke rritur çmimet e karburantit për avionët dhe duke ngjallur frikë për rënien e kërkesës për udhëtime.

Aviacioni
Mbyllja e hapësirës ajrore të Gjirit ka ndikuar zinxhirët e linjave ajrore dhe ka goditur aksionet e tyre. Çmimet e fluturimeve nga Azia në Evropë janë rritur ndjeshëm, ndërsa disa kompani si Wizz Air dhe Lufthansa kanë ndryshuar itineraret. Ryanair ka regjistruar rritje të kërkesës për fluturime të shkurtra.

Çmimet e karburantit për avionët janë dyfishuar që nga fillimi i konfliktit, duke shtuar presion mbi kompanitë. Edhe linjat që përdorin kontrata mbrojtëse ndaj rritjes së çmimeve po njoftojnë rritje biletash, tarifash karburanti dhe reduktime kapaciteti.

Ndikimi në Dubai
Konflikti ka rrezikuar imazhin e Lindjes së Mesme si destinacion i sigurt dhe luksoz për turistët, pas investimeve miliarda dollarëshe në Abu Dabi dhe Dubai. Turizmi në rajon kap vlerën e 367 miliardë dollarëve në vit.

Në Dubain dhe qendrat e tjera të mëdha tregtare, shumë dyqane ishin të mbyllura ose me staf minimal javën e kaluar.

Industria e mbrojtjes
SHBA ka përdorur armë të avancuara kundër objektivave iraniane, përfshirë raketat Tomahawk, avionët stealth dhe dronë sulmues me kosto të ulët. Pentagoni përdori edhe inteligjencë artificiale nga kompania Anthropic gjatë sulmeve.

Metale kritike dhe lëndë të para
Furnizuesi katar Qatalum ka ndaluar prodhimin javën e kaluar, ndërsa Aluminium Bahrain ka ndaluar dërgesat, duke shpallur force majeure për shkak të vështirësive në transportin përmes Gjirit të Hormuzit. Rajoni i Gjirit siguron rreth 8% të furnizimit global me alumini. Çmimet e aluminit në Londër u rritën ndjeshëm, ndërsa premium-et fizike në Evropë dhe SHBA arritën nivele shumëvjeçare.

Prodhuesit e nikelit në Indonezi mund të detyrohen të reduktojnë prodhimin, pasi transporti në Gjirin e Persik është i ndërprerë.

Ushqimi, moda e shpejtë dhe luksi
Dërgesa të rrobave për disa marka të mëdha janë bllokuar në aeroportet e Bangladeshit dhe Indisë. Kriza po ushtron presion edhe mbi sektorin e luksit, me grupe si Richemont dhe Zegna të ekspozuara ndaj ndërprerjeve.

Restorantet dhe hotelet në Indi paralajmërojnë për ndërprerje për shkak të mungesës së gazit për gatim. Çmimet e ujit të paketuar po rriten për shkak të mungesave të lëndëve për ambalazhimin, të lidhura me luftën.

Çipet dhe qendrat e të dhënave
Zyrtarët koreanë paralajmërojnë se një konflikt i zgjatur mund të ndikojë në furnizimin me materiale për prodhimin e gjysmëpërçuesve, përfshirë heliumin, i domosdoshëm për çipat.

Sulmet me dronë që goditën disa qendra të të dhënave të Amazon në Emiratet e Bashkuara dhe Bahrein ngritën pyetje mbi zinxhirët e furnizimit të teknologjisë.

Bankat
Citigroup dhe Standard Chartered kanë urdhëruar stafin në Dubai të punojë nga shtëpia, ndërsa HSBC ka mbyllur të gjitha degët në Katar deri në njoftim të dytë, për sigurinë e stafit dhe klientëve. / Burimi: Reuters


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota