Lufta në Lindjen e Mesme, sulme dhe kërcënime nga të dyja palët
Shkelzen Çoçaj|RTKlive
Udhëheqësit e Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen dhe do të vazhdojnë luftën. Luftimet kanë shkaktuar mijëra viktima, kanë prishur jetën e miliona njerëzve dhe kanë tronditur tregjet financiare botërore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim të ri për Teheranin të premten në mëngjes, duke lënë të kuptohet për veprime të mëtejshme ushtarake në konfliktin në vazhdim.
“Shikoni çfarë ndodh sot me këtë llum të çmendur”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
Pavarësisht komenteve të mëparshme që sugjeronin se një luftë me Iranin mund të përfundonte së shpejti, pasi “nuk ka mbetur praktikisht asgjë për t’u goditur”, Trump theksoi fuqinë ushtarake të Amerikës.
“Ne kemi fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe shumë kohë”, tha ai.
Ai përsëriti gjithashtu se marina dhe forcat ajrore të Iranit janë shkatërruar dhe se raketat, dronët dhe aftësitë e tjera ushtarake të vendit po neutralizohen.
E Forcat Mbrojtëse të Izraelit, Israel Defense Forces (IDF), njoftuan vonë të enjten se kishin kryer disa valë sulmesh kundër infrastrukturës së Hezbollah në Beirut dhe në jug të Liban.
“Së fundmi, Forcat Mbrojtëse të Izraelit përfunduan disa valë sulmesh që kishin në shënjestër infrastrukturën e Hezbollahut në Bejrut dhe në Libanin jugor”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë në Telegram.
Sipas IDF-së, janë goditur disa qendra komanduese nga të cilat luftëtarët e Hezbollahut planifikonin dhe kryenin sulme kundër shtetit të Izrael dhe civilëve të tij.
Ushtria izraelite akuzoi gjithashtu Hezbollahun se ndërton sistematikisht infrastrukturën e tij brenda zonave të banuara civile në të gjithë Libanin, duke e cilësuar këtë si një shfrytëzim të popullsisë civile për aktivitetet e tij ushtarake.
Ndërkohë, në Tehran, banorët raportojnë një prani të shtuar të forcave të sigurisë në rrugë.
“Forcat e sigurisë janë kudo, më shumë se më parë. Njerëzit kanë frikë të dalin, por supermarketet janë të hapura”, tha Majan, 35 vjeç, një mësues nga Teherani, gjatë një bisede telefonike.
Izrael dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje iranianëve të ngrihen dhe të rrëzojnë udhëheqjen klerikale të vendit.
Shumë iranianë kërkojnë ndryshim dhe disa kanë festuar hapur vdekjen e udhëheqësit suprem të moshuar, pasi forcat e tij vranë mijëra protestues antiqeveritarë në janar. Megjithatë, nuk ka shenja të një rezistence të organizuar ndërkohë që vendi është nën sulm.
Mesazhi i Iranit është se strategjia e tij synon të shkaktojë një tronditje të zgjatur ekonomike për të detyruar Donald Trump të tërhiqet.
Një zëdhënës i komandës ushtarake iraniane tha të mërkurën se bota duhet të përgatitet për çmime të naftës deri në 200 dollarë për fuçi.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi të enjten se nuk pret që kjo të ndodhë, por nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë.
“Do të thoja se është e pamundur, por ne jemi të përqendruar në operacionin ushtarak dhe në zgjidhjen e problemit”, tha ai për CNN.























